Programi për shëndetësi i PDK-së, Bedri Hamza premton 1.5 miliard euro investime

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, po e vazhdon fushatën elektorale për zgjedhjet e 09.02.2025.

Hamza më 19.01.2025 e ka prezantuar programin për shëndetësi.

Në një takim me profesionistë shëndetësorë, ai ka thënë se për katër vjet në shëndetësi do të investohen 1.5 miliard euro.

Ai ka premtuar 100 përqind rritje të buxhetit për blerjen e barnave esenciale, 50 për qind rritje të pagave për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor, barna falas për të moshuarit me sëmundje kronike dhe të prekurit me kancer, funksionalizim të sigurimeve shëndetësore dhe digjitalizim të sistemit shëndetësor, riorganizim të specializimeve në shëndetësi dhe ligj për specializantët dhe fuqizim të spitaleve rajonale dhe ndërtim të Sistemit Kombëtar të Emergjencave Mjekësore.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, tubimin e radhës e pati në Mitrovicë.

Në një postim në Facebook, ai tha se premton se do të punojë për të gjitha gratë e Kosovës.

“Gratë janë udhëheqëse, profesioniste dhe biznesmene të jashtëzakonshme. Nga përkushtimi si amvise e deri te ngritja në karrierë, gratë do ta kenë mbështetjen e pakursyer, mundësitë që ju duhen dhe respektin që e meritojnë”.

“U mblodhëm në Mitrovicë për të treguar që barazia gjinore nuk është vetëm çështje e grave, por e krejt shoqërisë. U mblodhëm për të treguar që Kosova mundet ma mirë për vajzat dhe gratë” – shtoi ai.

“Si kryeministër i ardhshëm, si baba i dy vajzave, si bashkëshort i një zonje, si djalë i një nëne dhe si vëlla i 4 motrave, ju premtoj se do të punoj dhe përkushtohem që çdo grua në Kosovë të ndjehet e mbështetur dhe e sigurt”- ka thënë Hamza.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.