Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Programi i Listës së Ashkalinjve të Ferizajt ka fokus mosdiskriminimin e këtij komuniteti

Kandidatja për asambliste, Pakize Bujani nga Lista e Ashkalinjve të Ferizajt e ftuar Debat Pernime ka prezantuar programin e kësaj liste.

Fokus i programit të kësaj liste është luftimi i diskriminimit të këtij komuniteti në të gjitha fushat jetësore.

Po ashtu Bujani tha se kjo listë gjithashtu ka fokus dhënien e trajnimeve profesionale për gratë e këtij komuniteti.

“Programi i Listës së Ashkalinjëve të Ferizajt ka 8 pika kryesore. E para është banimi i qëndrueshëm , e dyta është shëndetësi, arsim, punësim e zhvillim ekonomik, kulturë e sport, luftim të racizmit dhe mbrojtje nga COVID-19. Ne kemi probleme me strehim dhe nevoja për ndërhyrje është shumë e rëndësishme për ndërtuar shtëpi, rindërtuar dhe rinovuar ato.  Tek arsimimi do të përkrahim nxënësit tonë me mjete e me bursa studimore. Sa i përket shëndetësisë do të avokojmë për marrjen e shërbimeve në mënyrë korrekte dhe pa diskriminim e po ashtu do të angazhohemi të punësojmë edhe pjesëtarë nga komuniteti ynë. Grave do t’u ofrojmë trajnime profesionale e më pas ato të përkrahen nga kryetari i komunës me grante”, u shpreh Bujani.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin timonin e Ferizajt diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Ferizajt: Agim Aliu nga PDK; Arben Halili nga AAK; Sibel Halimi nga LDK dhe Valon Ramadani nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Ferizajt: Abetare Kurti nga Nisma Socialdemokrate; Donjeta Aliu nga PDK; Djellza Salihu nga RDF; Egzona Selimi nga LDK; Fatbardha Zogaj Reka nga LVV; Mimoza Rama nga AKR; Pakize Bujani nga PAI dhe Xhemile Murati Shabani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.