Foto: Avdullah Hoti/ Facebook (Video)

Programi i LDK-së, premtime nga vettingu në drejtësi deri te liberalizimi i vizave

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar programin për qeverisje, para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka dhënë premtime për shumë fusha, përfshirë temat, si vaksinimi anti-COVID-19, rritja e pagës minimale në Kosovë, vettingu në drejtësi, liberalizimi i vizave etj.

Hoti ka theksuar se prioriteti i tyre në shëndetësi është vaksinimi anti-Covid, duke shpalosur edhe qëllimet e tjera në këtë fushë.

“Do të koncentrohemi fuqishëm në sigurimin e të gjitha barnave esenciale pa pagesë për gjithë ata që kanë nevojë, të sëmurët kronik në veçanti, po edhe grupe tjera të qytetarëve. E treta në këtë fushë që do të bëjmë janë sigurimet shëndetësore. Një aspekt tjetër i fushës së shëndetësisë është Sistemi Informativ Shëndetësor, i cili na mundëson integrimin e gjitha të dhënave në nivel vendi për insidencën e sëmundjeve, për lidhjen e sistemit farmaceutik dhe çdo sistem tjetër që lidhet në shëndetësi”, tha mes tjerash ai të martën.

Kandidati i LDK-së për shef qeverie premtoi bukur shumë edhe për fushën e arsimit.

“Do të fokusohemi shuumë që të rrisim pjesëmarrjen në edukimin parashkollor. Dëshirojmë që të ndërtojmë standarde për të kufizuar numrin e nxënësve për klasë në veçanti në qendrat urbane që ndikon në cilësinë e të nxënit brendas klasës. Do të shkojmë kah arsimi tërë-ditor, me disa prej komunave ne mund të eskperimentojmë shumë shpejt”, theksoi ai.

Premtime dha edhe për arsimin e mesëm dhe të lartë.

“Në arsimin e mesëm do të shkojmë kah arsimi profesional që quhet ‘dual’ ku nxnënsit një pjesë të kohës kalojnë në shkolla dhe pjesën tjetër kalojnë në ekonomi, private ose institucione publike. Në arsimin parauniveristar do të investojmë shumë në siguri në shkolla. Në arsimin e lartë do të koncentrohemi në cilësi dhe në pajisje me mjete të nevojshme pedagogjike”, theksoi ai.

Premtimet për zhvillim ekonomik

Një tjetër fushë që LDK ka në program zgjedhor, është edhe zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve.

“Te zhvillimi ekonomik, kryesorja është qasja në financa, do të përmirësojmë qasjen në financa për bizneset dhe qytetarët. Rritja e fondit për garantim të kredive, subvencionimi i normave të interesit, rritja e granteve për biznes në gjithë sektorët, zvogëlimi i licencave, fiskalizimi digjital, liberalizimi i tregut të energjisë”, tha Hoti.

Nënkryetari i LDK-së, tha se do të vendosin indikarorë të performancës për secilën ndërmarrje publike.

“Procesin e privatizimit ta përmbyllim me një ankand publik ku i listojmë të gjitha asetet që janë në listë të AKP-së dhe AKP-ja transformohet me një zyrë brenda qeverisë që menaxhon me kontrata ose kërkesat e kreditorëve”, u shpreh ai.

Hoti foli edhe për investimet pulbike, duke përmendur marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

“Investimet e mëdha publike, që derivojnë nga marrëveshja e Uashingtonit, hekurdha Durrës-Prishtinë, autostrdat, gazsjellësi dhe financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë nga tregjet amerikane”.

Hoti premtioi plan të investimeve deri në 6 miliard euro për 7 vitet e ardhshme.

“Pjesë të këtyre edhe plani i BE-së me 700 milionë euro vetëm për Kosovën me projekte në infrastrukturë me hekurudha dhe autostrada, në qasje në internet, ngrohje qendrore nëpër qytet dhe në fushën e energjisë”, tha ai.

“Jam i bindur që për 3-4 vitet e ardhshme, Kosovën me këto investime të mëdha publike do të ta kthejnë në nyje gjeo-politike në Ballkan dhe më gjërë”, tha Hoti.

Ai shtoi se do të rrisin pagën minimale në 300 euro dhe do të heqin nivelizim e pagës minimale sipas moshës.

“Për pensionistët kontributdhnënës do të heqim kufizimin për këto 15 vite që është minimumi i viteve të përvojës të punës për të përfituar pensionin kontributdhënës. Nga viti 2023 nuk do të ketë pensione që janë më të ulëta sesa paga minimale në vend.  Të rrisim edhe për 30 për qind asistencën sociale, do të lidhim asitencën me koston e jetesës së familjeve”, tha ai.

LDK, në program ka përfshirë edhe qytetarët me nevoja të vecanta.

“Kujdesi i veçantë do të kemi për qytetarët me nevoja të veçanta, do të përmbyllim procesin e licencimit të këtyre shoqatave që ofrojnë shërbime për këto grupe të qytetarëve”, tha ai.

Hoti prezantoi plane edhe për organizatat joqeveritare, odat ekonomike dhe shoqatat profesionale.

“Në qeverinë e ardhshme të financojmë 15% të projekteve që kanë OJQ-të që marrin nga donatorët e ndryshëm. Odat ekonomike do t’i integrojmë në vendimmaarje në instucione”, theksoi ai.

Kandidati i LDK-së, ka dhënë goxha premtime edhe për sektorin e teknologjisë informative.

“Shërbimet e teknologjisë imformative në institucionet publike do të kryhen nga kompani lokale, digjitalizimi i shërbimeve publike,  patentimi i aplikacioneve, lehtësimi i transaksioneve elektronike dhe pagesave ndërkombëtare, përkrahje për qendrat inovative, nga shtatori do të zhvillojmë 7 shkolla digjitale në 7 regjione të ndryshme”, tha ai.

Shteti ligjor sipas LDK-së

Kandidati i LDK-së për kryeministër të ardhshëm, shpalosi programin e partisë së tij edhe në fushën e drejtësisë.

“Sigurimi i plotë i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, jo vetëm në letër por me veprime konkrete”, tha ai.

Hoti përmendi edhe Vettingun në drejtësi.

“Vettingu i institucioneve të drejtësisë, tani e kemi studimin gati për modalitete të ndryshme. Një vetting që nuk do të jetë gjah, por ndërtimi i një sisttemi vetëfunksionues dhe rregullues i sistemit të drejtësisë”, tha ai.

 Diaspora në sytë e LDK-së para zgjedhjeve

Përkrahje për diasporën ka premtuar Avdullah Hoti para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Të promovojmë investime nga diaspora, të ndihmohen qytetarët në diasporë që të mbahet gjallë te gjeneratat e ardhshme arsimi dhe kultura shqip, ta bëjmë diasporën pjesë të vendimmarrjes brenda institucioneve”, tha ai në prezantimin e programit të partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme.

Politika e jashtme, vizat…

Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se fokusi i tyre do të jetë avancimi në intergrimin euroatlantik të shtetit të Kosovës, duke u shprehur i bindur se do ta bëjnë këtë.

“Do të punojmë shumë për të merituar dhe për të përmbyllur liberalziimin e vizave. Jam i bindur që për disa muaj ne mund ta avancojmë në këtë drejtim”, tha ai.

Hoti ka premtuar edhe profesionalizëm në rishikimin funksional të shërbimit diplomatik.

Sa i përket dialogut me Serbinë, ai tha se është në interes të të gjitha vendeve të dialogut që të përmbyllet ky proces.

Programi për rininë kosovare

Kandidati i LDK-së për kryeministër, dha disa premtime edhe për rininë e Kosovës.

“Ofrim të punës praktike me pagesë, arsimit cilësor, njohja e punës vullnetare si praktike dhe zhvillimi i një skeme të granteve për të rinjtë që hapin biznese”, tha ai.

Hoti foli edhe për sportin e kulturën.

“Integrimit i sportit në shkolla, talentet të identifikohen herët dhe ndaj tyre të ketë kujdes institucional, të rregullojmë infrastkturën sportive në menaxhim. Do të promovojmë turizimin kulturor dhe mbështjetje të talentëve në këtë fushë”, tha ai.

Hoti tha se në program kanë edhe fushën e qujatur “Integrimet mbarëshqiptare”, duke përmendur bashkëpunime me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës.

LDK, në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të garojë me sloganin “Shteti. Shtet.”

Avdullah Hoti aktualisht është kryeministër në detyrë i Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme votën vendimtare për zgjedhjen e qeverisë së tij dhe urdhëroi shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.