Foto: Donika Gervalla / facebook

Profesori i shkencave politike në Paris, Nezir Kraki, i bashkohet Partisë Guxo

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, i është bashkuar Partisë Guxo.

Kështu njoftoi kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, e cila tha se Kraki iu bashkua partisë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Nezir Kraki është profesor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Paris, njohës i shkëlqyer i politikës së jashtme dhe zhvillimeve në Ballkan, me një vizion të qartë për integrimin evropian të Kosovës. Përmes analizave të tij të mprehta, shkrimeve dhe paraqitjeve frymëzuese në mediat e mjediset akademike ndërkombëtare, ai është kthyer në një zë të fuqishëm të promovimit dhe ngritjes së imazhit pozitiv të shqiptarëve në botë” – ka shkruar Gërvalla.

Ajo shtoi se me profesor Krakin në “listën tonë fituese Vetëvendosje-Guxo-Alternativa” e profesionistë të tjerë, angazhimi në shërbim të Kosovës do jetë i gjithanshëm dhe dinamik edhe në mandatin e dytë.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.