Profesori amerikan i shkruan Hotit, Palmerit dhe Kosnettit për refuzimin e lejes së qëndrimit për ish-këshilltarin e Albin Kurtit

Profesori nga Universiteti “Yale”, James Silk, ka drejtuar në adresë të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, një shkresë me të cilën ka thënë se Kosova mund të bëhet subjekt i një hetimi nga raportuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara rreth refuzimit të lejes së qëndrimit në Kosovë të shtetasit amerikan Tienmu Ma, këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti.

Sipas profesorit të të drejtave të njeriut, krejt kjo për shkak të një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme që mori ditë më parë për Tienmu Ma, ish-këshilltarin ligjor të ish-kryeministrit, Albin Kurti, për mos vazhdim të leje qëndrimit në Kosovë.

Ma ishte angazhuar dy vite më parë në cilësinë e ekspertit nga Komisioni Parlamentar i cili kishte hetuar dëbimin e gjashtë shtetasve turq. Profesori Silk e ka quajtur si hakmarrje mos vazhidimin e qëndrimit të tij në Kosovë. Ndërsa, shkresën ia ka drejtuar edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit ameriakn, Matthew Palmer dhe Ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

“Kjo sjellje, që mund të shihet vetëm si përpjekje për t’u hakmarrë kundër një juristi të të drejtave të njeriut, thjesht pse ka bërë punën e tij të duhur e të rëndësishme, jo vetëm nëpërkëmb përparimin e Kosovës drejt demokracisë dhe vendosjes së sundimit të ligjit; por cenon qartë edhe Deklaratën e OKB-së për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut. Abuzime të këtilla përbëjnë bazë për hetimin e veprimeve të Kosovës nga Raportuesi Special i OKB-së mbi Situatën e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut”, thuhet në letrën e James Silk.

“U ndjeva thellësisht i shqetësuar kur mësova për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë suaj për të larguar nga Republika e Kosovës juristin e të drejtave të njeriut Tienmu Ma, sidomos tani që jemi në mes të pandemisë COVID-19”, thuhet tutje në letrën e profesorit i cili ligjëron në Universitetin “Yale”.

Në fund të letrës, ai ka kërkuar nga ekzekutivi kosovar që ta rishqyrtojë vendimin e ministrisë së Agim Veliut, e gjithashtu, ka thënë që nuk pret që Ma të depërtohet nga Kosova.

“Jam i pikëlluar që Qeveria juaj, për çka duket të jenë arsye të pahijshme politike, po kërcënon të largojë me forcë këtë goxha djalë dhe shërbyes publik të dedikuar nga vendi të cilit është përpjekur t’i shërbejë besnikërisht, duke sakrifikuar herë-herë edhe interesat e veta. Për hir të reputacionit të Kosovës si shtet demokratik që respekton të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, ju nxis të garantoni sigurinë e z. Ma. Për më tepër, ju nxis, së pari, që Qeveria juaj të mos ndërmarrë hapa për të deportuar z. Ma dhe, së dyti, që Qeveria juaj të rishqyrtojë vendimin e vet të pavend e të dëmshëm para se kjo çështje të bëhet shkak i turpërimit ndërkombëtar të Kosovës dhe para se t’i sjellë dëm të mëtejmë z. Ma”, thuhet në fund të letrës.

Më 18 mars, ish-kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori vendim për shkarkimin e ministrit të Punëve të Breshme, Agim Veliu.

Vetëm një natë para se të shkarkohej, Veliu, që është nënkryetar i LDK-së, atë kohë parti që bashkëqeversite me Lëvizjen Vetëvendsoje, kishte deklaruar se është pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ndonëse, një qëndrim të tillë Kurti ka thënë se Veliu nuk e kishte shprehur paraprakisht në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.

Jo shumë kohë pas shkarkimit të Veliut, partia të cilës i prin Isa Mustafa vendosi që ta prishë bashkëpunimin me partinë e Albin Kurtit.

Hakmarrje ndaj ish-këshilltarit të Albin Kurtit e ka quajtur edhe avokati i tij, Tomë Gashi. Sipas tij, ish-këshilltari Ma i posedon dokumentet për të cilat MPB ka thënë se nuk i ka.

“Vendimi i Komisionit të Ankesave është mashtrim nga fillimi deri në fund. Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk na ka njoftuar zyrtarisht me vendimin. E dimë vetëm se çfarë është publikuar në media. Sipas kësaj, Komisioni ka pasur vetëm dy baza, të dyja të rrejshme, për refuzimin e lejeqëndrimit: Mungesa e përkthimit të diplomës universitare në gjuhën shqipe apo serbe dhe mungesa e dëshmisë për qarkullim të mjaftueshëm bankar. Kaq. Këto baza janë të rrejshme sepse z. Ma të dy dokumentet i ka pasur, ia ka prezantuar Komisionit të Ankesave, si dhe vazhdon t’i ketë ato dokumente deri më sot”, tha Gashi.

“Qeveria Hoti, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, si hakmarrje primitive kundër një shtetasi amerikan, duan ta dëbojnë z. Ma nga Kosova kinse për mungesën e dokumenteve që në fakt i ka”, ka deklaruar Tomë Gashi.

Tienmu Ma është shtetas amerikan  i lindur në California, ShBA. Ai u emërua këshilltar juridik i Albin Kurtit, sa ishte në krye të qeverisë, më 13 shkurt 2020. Tienmu Ma ka qenë eksperti i cili e ka përgatitur raportin për deportimin e “gylenistëve”, ku i kishte konstatuar 31 shkelje ligjore nga ana e institucioneve të Kosovës. Ai ishte angazhuar nga komisioni hetimore parlamentar për ndriçimin e rastit të “gylenistëve”.

Raporti i komisionit: 31 shkeljet ligjore gjatë dëbimit të ‘gylenistëve’

www.kallxo.com