Profesorët e zgjedhur deputetë do të pezullojnë punën në universitete

11 profesorë të Universitetit të Prishtinës të cilët janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës do të duhet të pezullojnë punën e tyre në këtë institucion.

Kjo pasi Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka shqyrtuar dhe ka dhënë opinion ligjor në çështjen e pezullimit të punës së stafit akademik të Universiteteve Publike dhe të gjithë personelit arsimor të shërbimit publik në rastin kur zgjidhen deputetë.

Në këtë opinion është sqaruar se stafi akademik dhe personeli arsimor i shkollave publike konsiderohet, “ nënpunës i shërbimit publik” me ç’rast hyjnë në kuadër të Ligjit për Zyrtarë Publikë.

Sipas këtij opinioni, profesorët e Universiteteve Publike në momentin që zgjidhen deputetë të Kuvendit të Kosovës duhet të pezullojnë marrëdhënien e punës në universitet.

“Në rast se nën punësi i shërbimit publik zgjedhët Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoji: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punë sprej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhet në opinion ligjor.

Esat Kelmendi, Sekretar i Universitetit të Prishtinës në një përgjigje për KALLXO.com tha se vetëm kanë nisur procedurat e përgatitjes së vendimeve për pezullimin e punës të 11 profesorëve të Universitetit të Prishtinës.

Kelmendi tha se do të presin nga bordi i UP-së që të njëjtit t’i angazhojë si bashkëpunëtorë të jashtëm  pasi sipas tij mund të rrezikohet procesi mësimor në pjesën e mbetur të vitit akademik.

“Po e kemi marrë vendimin edhe sot jemi duke i përgatitë vendimet për me i pezullu këto pozitat e deputetëve. Do të presim një zgjidhje prej bordi që i lënë më u angazhu si bashkëpunëtor të jashtëm sepse faktikisht dështon procesi mësimor në muajin e fundit, sepse konkursi minimumi shkon katër muaj dhe studentët mund të mbesin pa ligjërata. 11 profesorët të cilët janë edhe deputetë nuk kanë të drejtë në avancime apo mentorime thjesht i ngrihet e gjithë procedura sa i përket marrëdhënies së rregullt të punës. Ne do ta bëjmë këtë ngrirje të pozitës ndërsa bordi nxjerr vendim nëse i lejon si bashkëpunëtorë të jashtëm”, tha Kelmendi për KALLXO.com