Gjimnazi i Specializuar Matematikor. Foto: KALLXO.com

Profesorët e UP-së të revoltuar me MASh-in, bojkotuan mësimin në Gjimnazin Matematikor (video)

Nxënësit e Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë, prej më shumë se 1 muaj nuk i kanë mbajtur mësimet në lëndën e matematikës.

Kjo pasi 15 profesorët që ligjërojnë këto lëndë, e kishin bojkotuar mësimin sepse Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nuk ia kishte ekzekutuar pagesat për mbajtjen e orëve e as nuk i kishte pajisur me kontratë pune.

Nxënësit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por thonë se nuk e kanë mbajtur këtë lëndë tash e disa kohë.

Njëri nga profesorët e UP-së, Elver Bajrami thotë se MASh nuk ia kishte bërë pagesat prej më shumë se një viti.

Profesori i matematikës, Elver Bajrami. Foto: KALLXO.com

“Ne gjatë gjithë kohës kemi pasur probleme me pagesat e orëve. Pas kryerjes së mësimit kurrë nuk është bërë pagesë. Pagesat janë vonuar një vit e më shumë. Rast konkret ishte kjo e fundit ku gjatë muajit nëntor kemi bërë presion dhe kemi kërkuar takim me ministrinë sepse s’kishin kryer pagesat qysh nga muaji janar gati një vit”, thotë ai për KALLXO.com.

Ai thotë se janë anashkaluar nga ministria edhe për takime.

“Në fillim të muajit dhjetor, me 3 dhjetor kemi thirrur një mbledhje të departamentit. Disa tentime që i kemi bërë të takohemi në Ministri të Arsimit, kanë qenë të kota. Kemi pritur, na kanë thënë takohemi dhe na kanë kthyer pa asnjë përgjigje dhe s’kemi mund të realizojmë kontakte dhe pastaj jemi detyruar që ta thërrasim mbledhjen e departamentit, sepse e kemi ndjerë obligim dhe bashkërisht kemi marrë dy vendime”, thotë Bajrami.

“Po e përgjithësoj përgjigjen ministrisë për çdo rast, edhe pse gjithmonë ju kemi drejtuar sekretarit, ministrit, por gjithmonë ka pasur heshtje, heshtje e plotë”, shton ai.

Tutje Bajrami thekson se e kishin njoftuar me kohë ministrin e Arsimit dhe Shkencës për veprimet e tyre.

“Më 7 janar i kam shkruar një e-mail ministrisë dhe gjitha palëve, për t’ua rikujtuar që kërkesa e dytë që çdo gjysmë vjetor i ardhshëm të fillohet kur të nënshkruhet kontrata, për çka kishin afat 2 javë. Prapë i njëjti vesh i shurdhër”, tha më tej ai.

Në fund ai thekson se është dashur intervenimi i prindërve në mënyrë që ministria t’i kryej obligimet ndaj e tyre.

“Prindërit e kanë marrë rolin dhe kanë fol në ministri, dhe ju kam treguar ku qëndron problemi. Të enjten e kaluar, kam shkuar në ministri dhe pas presioneve të prindërve ministria e ka lëshuar një vendim me të cilin lejohet pagesa për orët shtator-dhjetor për neve dhe për hir të prindërve dhe fëmijëve, kemi vendosur që nga dje të fillojmë me mësimdhënie”, shton ai.

Blerim Halabaku, kryesues i prindërve të klasës 10/2 thotë se ishte e shqetësuar që vajza e tij nuk ka vijuar lëndën e matematikës për 1 muaj.

Klasa në Gjimnazin e Specializuar Matematikor. Foto: KALLXO.com

“E kam dërguar vajzën aty, por kur ta humb mësimin do të thotë shumë, sepse përveç se ajo i kalon 120 km në ditë për të ardhur e mbajtur mësimin, e mësimi s’mbahet, tmerri tjetër është që ajo nuk pajisjet me dije për atë që ka shkuar, sepse kryesisht mësohet matematika që është bazike andaj edhe jam shqetësuar shumë”, thotë ai.

Edhe ai e pranon se pas intervenimit të tyre është ndërprerë greva e profesorëve.

“Kemi biseduar pastaj me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe na kanë premtuar që kanë me bërë pagesën, por nuk e bënë. Pastaj, ne kemi vazhduar me presione edhe tani e kanë marrë një vendim për tre muaj që ata të kthehen në shkollë. Profesorët nuk kanë faj, sepse MASh-i nuk i ka bërë pagesat”, thotë më tej për KALLXO.com Halabaku.

Kurse, drejtori i kësaj shkolle, Shemsi Berisha, thotë për KALLXO.com se gjatë kësaj periudhe janë humbur mbi 96 orë çdo javë.

Drejtori i Gjimnazit të Specializuar Matematikor, Shemsi Berisha. Foto: KALLXO.com

“Të gjithë nxënësit që unë i kam, 105 nxënës nga 2 paralele në secilin vit, minimumi janë 14 lëndë nga matematika, 96 orë i kanë në javë nga lëndët profesionale dhe kanë 96 orë që janë humbur çdo javë”, thotë Berisha.

Sipas tij, bojkotimi i mësimit nga ana e profesorëve është e arsyeshme, por jo t’i lënë nxënësit pa nota.

“Preteksti ka qenë sepse nuk kanë pasur kontrata. Në një farë forme është e arsyeshme kjo, por unë si drejtues i këtij institucioni nuk mund ta arsyetojë, ta justifikojë veprimin e tyre që në dy javët e fundit ta ndërprenë mësimin dhe t’i lënë nxënësit pa mësim dhe pa notim”, tha ai.

Tutje Berisha thotë se këtë çështje e ka adresuar për më shumë se 1 muaj në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por se nuk i kanë premtuar zgjidhje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe është duke pritur përgjigje.

Gjimnazi i Specializuar Matematikor është themeluar në vitin 2014 nga Ministria e Arsimit, me një pjesë të mësimdhënësve të angazhuar nga Komuna e Prishtinës e pjesa tjetër nga Universiteti i Prishtinës.