Prodhuesit vendor iu kërkua nga Trepça t'i pranonte disa vjedhje të cilat nuk i kishte bërë

Pronari i Kompanisë “ELFA” Elbasan Maliqi dhe disa punëtor të kësaj kompanie rrëfyen për KALLXO.com një skemë të cilën pretendohet se u është montuar nga zyrtarë të menaxhmentit të Ndërmarrjes Trepça.

Dyshimet  e menaxhmentit të Trepçës së Kompania “EL-FA” ka vjedhur në ndërmarrje mjete në vlerë të 15 mijë eurove, do të raportohej në polici.

“I them Hysni, kështu kështu, është duke na u vesh një send, që nuk e kemi bërë gjithashtu i tregova që i kam tetë kamera në fabrikë që monitorojnë vazhdimisht, dhe i them nëse dyshoni unë jam në gjendje me jau dhanë të gjitha kamerat që me i pa. Ai më tha që nuk muj met thanë asgjë më shumë, çka keni bisedu me Besimin, i tregoj që e  kemi lanë në ora 9 mu taku. I kam pyet nëse kanë raport të policisë, tha jo nuk di asgjë a kanë qenë. I jam drejtu nëse muj me shku unë në polici me këqyrë çka ka ndodh, më tha po”, shpjegon pronari i kompanisë Maliqi.

Edhe pse në këtë rast kompania e Maliqit, dyshohej për vjedhje, pronari Maliqi e raportoi rastin në polici.

“E mar menaxherin e kompanisë edhe shkojmë në polici me këqyrë cka ka ndodh dhe pyesim në polici a ka naj rast apo jo, po neve po na thojën që është vjedh Trepca e po na thojnë që na e këna vjedh. Polici nuk ja di emrin thotë ju nuk mundeni me hap rast për Trepçë, sepse nuk jeni kompetentë dhe na tregon që e vetmja mënyrë nëse po dyshohemi për vjedhje me shiku punëtoret mos kanë vjedh, më tha shkoni ju edhe vijnë policia me ju marr në pyetje. Nuk kanë shkuar më shumë se 2 orë, kanë ardhë policia fillimisht kishin shku në drejtori të Trepçës pastaj te unë i prita në zyre, u thash që ku është DVR që ku janë të gjitha çka ka ndodh që ku janë punëtorët. Edhe ju thash nëse një punëtor i jemi ka vjedh unë nuk di çka të them që ku i keni të gjitha. Njëri prej policëve ka qesh edhe më ka thënë “ne vetëm kemi ardhë ne e dimë kush ka vjedh këtu”, pak a shumë kishin dijeni se ishte vjedhur një kabllo për tensionin e lartë apo nuk e di sepse duhet me qenë inxhinier i fortë me e këput atë kabllo. Më ka thënë polici nuk ka kjo mundësi me ndodhë sepse kjo është hajni e brendshme”, shpjegon bisedën me zyrtarët policor Maliqi.

Punëtorët e Kompanisë “ELFA” kanë mbetur pa punë sepse Ndërmarrja Trepça vendosi të ndërprerje kontratën e qirasë ku ishte vendosur kompania.

Madje pronarit të “ELFA”, Elbasan Maliqit i ishte kërkuar që të pranonte disa vjedhje në Trepçë për të vazhduar biznesin.

Të gjitha këto, Maliqi i kishte raportuar në polici e pas kësaj kishte marrë edhe një njoftim për shkëputje të njëanshme të kontratës për qera.

“Në bazë të nenit 13 të kontratës, mbi qiranë Nr. 09-IB/2016 e datës 26.01.2020 ju njoftojmë se: Shkëputet kontrata nga ana e Trepça Sh.A. Kontrata mbi qiranë e lidhur me qiradhënësit Trepça Sh.A dhe qiramarrësit “EL-FA” Sh.p.k. Obligohet qiramarrësi “EL-FA” sh.p.k që në afat prej 15 ditëve nga dita e lajmërimit të bëj lirimin e objektit të qirasë. NË rast të ndonjë dëmtimi të objektit nga ana e qiramarrësit, obligohet qiramarrësi që të bëj kompensimin e dëmit në bazë të kontratës së lartcekur”, thuhet në njoftimin për ndërprerjen e kontratës.