Prodhuesi i biskotës “Sempre”: Nga tarifa kemi pasur rritje të shitjes për 120%

Arben Tërshnjaku nga kompania “Liri” tha se vendosja e tarifës 100 për qind nga Qeveria Haradinaj i ka ndihmuar shumë produktit të kësaj kompanie – biskotës “Sempre”.

“Taksa i ka dhënë mundësi konsumatorëve tanë me provu ‘Sempre’-n. Pasi që e kanë provu ne besojmë fuqishëm që kanë me vazhdu me konsumu ‘Sempre’-n’. Prej momentit të tarifës ne kemi pasur rritje enorme të shitjes të ‘Sempre’-ve prej 120%”, tha Tërshnjaku.

Ai beson që edhe pas vendosjes së reciprocitetit nga Qeveria në detyrë, qytetarët do ta vazhdojnë ta blejnë produktin e tij.

“Para vendosjes së taksës ka pasur ankesa, sepse janë mësu por pas vendosjes kemi marrë vetëm lëvdata dhe kanë qenë të befasuar dhe besoj që kanë me vazhdu me ble”, tha Tërshnjaku.

Qeveria në detyrë e Kosovës nga 1 prilli e ka hequr tarifën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës duke vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.