Ilustrim

Prodhimi i kriptovalutave: Rritet kërkesa për energji në veri

Veriu i Kosovës kohëve të fundit është bërë bazë e prodhimit të kriptovalutave. Kjo për shkak se në këtë pjesë ose më saktësisht në katër komunat me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicën Veriore që nga paslufta nuk paguhet energjia elektrike nga banorët që jetojnë atje.

Kjo ka bërë që prodhimi i kriptovalutave të bëhet duke shpenzuar energjinë elektrike falas e duke fituar shuma të mëdha pas prodhimit.

Dorentina Kastrati nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ka thënë se të dhënat që ka siguruar tregojnë rritje të shpenzimit të energjisë elektrike për 14 për qind gjatë vitit të kaluar.

“Prodhimi i kriptovalutave digjitale ka fillu qysh në vitin 2009 por hovin më të madh e ka pasur në vitin 2017 kur kanë fillu edhe me u prodhu në Kosovë. Shumica e tyre prodhohen në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”, tregon Kastrati.

Ajo shton se karakteristika që dallon komunat e tjera nga ato në veri të Kosovës është shpenzimi i energjisë elektrike falas.

“Karakteristikë e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës është se ato nuk paguajnë energji elektrike dhe prodhimi i kriptovalutave shpenzon shumë energji elektrike dhe normalisht me i ik edhe pagesës së energjisë elektrike  i kanë vendos pajisjet atje edhe prodhojnë fitojnë dhe n uk paguajnë energji elektrike”, thotë ajo tutje duke thënë edhe detaje nga statistikat dhe rritjet në vitet e fundit të shpenzimit të energjisë.

Tutje Kastrati shpjegon edhe se dallimi mes viteve të fundit i shpenzimit të energjisë elektrike është 6-fish më shumë.

“Duke pa që prodhimi i kriptovualutave digjitale në Kosovë ka marrë hov prej 2017 kemi pa që shpenzimi i energjisë elektrike në veri të Kosovës, në vitin 2020 krahasuar prej vitit 2019 është rritur. Më 2020 ka rritje prej 14 për qind, një rritje prej 11.2 për qind krahasuar prej vitit 2019 që i bjen 6-fish më shumë sesa kërkesa e përgjithshme për energji elektrike në pjesën tjetër të Kosovës”, tregon ajo.

Dallimi mes shpenzimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës dhe në pjesën tjetër është e lartë.

“Sipas statistikave që i kemi siguru kërkesa për energji elektrike në pjesën tjetër të Kosovës për vitin 2020 ka qenë veç 2.8 për qind. Kur e krahasojmë me konsumin e energjisë në veri të Kosovës shohim një rritje të madhe krahasuar me vitin 2019 por edhe me pjesën tjetër të Kosovës”, tregon Kastrati.

Sipas saj prodhimi i kriptovalutave digjitale nuk është arsyeja e vetme e rritjes së shpenzimit të energjisë elektrike.

“Normalisht nuk po themi që krejt arsyeja e rritjes është bitcoini por mundet me qenë një arsye shumë e madhe që është rritur shpenzimi i energjisë elektrike në atë pjesë viteve të fundit për shkak se pajisjet për prodhim të kriptovalutave digjitale shpenzojnë energji të lartë”, thotë Kastrati.

Në anën tjetër, Milot Mehmeti me profesion ekonomist, në vitin 2015 kishte filluar të merrej me prodhimin e kriptovalutave digjitale.

Ai tregon si kishte filluar prodhimin dhe si bëhet prodhimi i kriptovalutave digjitale.

“Prodhimi bëhet me anë të një formule matematikore, e cila është programuar në aso mënyrë që ata që lidhen me pajisjet e tyre të kompjuterit dhe kartelat grafike, ata e verifikojnë transaksionin që ka ndodh 10 minutat e kalume, pra një bllok në teknologji është 10 minuta kohë”, tregon ai funksionimin.

Mehmeti shpjegon edhe se pajisjet nuk funksionojnë pa kartelat grafike.

“Pajisjet që janë për prodhim të kriptovalutave, zakonisht janë kompjuterë me kartela grafike por Bitcoin e ka një tjetër tash ka kalu në procesime të tjera, ato e shpenzojnë energjinë elektrike, lidhen me energji elektrike edhe ajo është kosotoja që ki me pagu për me mujtë me prodhu kriptovaluta”, thotë tutje ai.

Sipas Mehmetit një pajisje mund të shpenzojë deri në 150 euro energji elektrike për një muaj por kjo dallon kur në funksion janë më shumë pajisje.

“Një pajisje me pesë kartela grafike mundet me harxhu diku 100 deri 150 euro për një muaj energji elektrike, por ajo mundet me i gjeneru në rastin tash diku 300 euro vlerë e ki dyfishin e asaj që e shpenzon. Këtu te ne fatkeqësisht është përdorur energjia elektrike në mënyrë të zezë. Kur bie çmimi i kriptovalutave gjenerimi është baraz me shpenzim të energjisë elektrike dhe kjo i shtyn njerëzit që me lidh energjinë në mënyrë të zezë”, thotë Mehmeti ndërsa shton se kur kishte filluar të merrej me prodhim kishte dëgjuar se të shumta ishin projektet që zhvilloheshin në veri të Kosovës.

Sipas Mehmetit prodhimi i kriptovalutave digjitale mund të bëhet edhe me një bodrum të vogël.

Ai shton se për një vit kanë shpenzuar 100 mijë euro energji elektrike ndërsa fitimi ka qenë trefish më i lartë.

“Brenda vit kemi shpenzu diku 100 mijë euro që kemi shpenzu për me prodhu kriptovaluta digjitale e të cilat kemi pagu. Fitimi ka qenë ndoshta trefishi i asaj që kemi pagu”, tregon Mehmeti.

Prodhimi i kriptovalutës digjitale shpenzon energji të madhe elektrike. Pjesa më e madhe e shpenzimit të energjisë elektrike ndodhë gjatë prodhimit të tij ndërsa pas krijimit, energjia e cila shpenzohet është minimale.

Përveç pajisjes e cila në pamje duke si shtëpizë kompjuterike, për prodhim të valutave digjitale duhen edhe disa kartela grafike.

Vetëm në katër muaj të këtij viti janë importuar rreth 600 mijë euro kartela grafike ndërsa rreth 3 milion euro pajisje për prodhim të kriptovalutave digjitale.

Në vitet 2017-2018 janë importuar pajisje për prodhim të valutave digjitale në vlerë të 3 milion e 389 mijë e 566 euro ndërsa kartela grafike në vlerë të 4 milion e 791 mijë e 374 eurove.