Prodhimi dhe shpërndarja e 2 eurove false, arrestohet në Kosovë një shtetas i Maqedonisë së Veriut
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se dje, më 04.08.2024, në Kosovë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara me prerje metalike 2 euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë të gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre.
Me aktvendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shtetasi maqedonas është ndaluar përkohësisht për 48 orë dhe ndaj tij në afat ligjor do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së tij në procedurë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ky operacion është mbështetur nga Europol dhe Eurojust/WB Crim Just Project.
Në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (PK/DHKEK), gjatë viteve 2023-2024 kanë ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara, përkatësisht të parave në valutën euro, pasi që ishin hasur disa raste të vënies në qarkullim të parave të falsifikuara, të cilat kishin çrregulluar tregun e parave si dhe kishin dëmtuar interesin publik.
Rrjedhimisht, këto lëndë penale ishin bërë pjesë e një hetimi ndërkombëtar, pas të cilave ishte krijuar Ekip i Përbashkët Hetimor (EPH) i përbërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës nga njëra anë dhe Prokuroria Themelore në Shkup dhe Policia e Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër.
PSRK thotë se autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbesin plotësisht të përkushtuara në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar krimet që atakojnë tregun financiar dhe për zhvillet e tjera do të njoftojnë publikun me kohë.