Foto: Ilustrim

Procesi si u lirua eprori i Policisë i dyshuar për fajde

Gjykata e Ferizajt ka zbutur masën e sigurisë ndaj eprorit të Policisë në Ferizaj, Kadri Kadriut.

Nga masa e paraburgimit të cilën e kishte Kadriu gjatë ditës së sotme atij i është ndryshuar masa në arrest shtëpiak.

Për një vendim të tillë, siç mëson KALLXO.com, Prokuroria në Ferizaj do të ushtrojë ankesë.

Kadri Kadriu është arrestuar më 16 shkurt të këtij viti pasi u kap në flagrancë deri sa po pranonte para të fajdeve.

Kadriu ishte në paraburgim tash e gati tre muaj ndërsa vendimi për ndërrimin e masës së sigurisë është pranuar sic mëson KALLXO.com nga Prokuroria sot pas orës 15:00, kohë kjo e cila nuk mjaftoi per t’u ankuar për vendimin.

Përveç eprorit Kadriu sot i është ndërruar masa edhe njërit nga qytetarët që ka qenë i përfshirë në rast.

KALLXO.com në shkurt të këtij viti solli pamjet ekskluzive kur Inspektorati Policor i Kosovës së bashku me Prokurorinë e Ferizajt kanë zhvilluar hetimet e më pastaj edhe arrestimin e të dyshuarit Kadri Kadriu.

Pamje ekskluzive: Arrestimi i komandantit të Policisë për fajde – LIVE

Eprori policor Kadri Kadriu dyshohet se ka dhënë 20 mijë euro fajde dhe nga to ka përfituar mbi 17 mijë euro.

Sipas Prokurorisë fajdeja me kamatë prej 3 % është dhënë nga zyrtari policor gjatë vitit 2017 dhe në emër të saj i dëmtuari ka pasur për obligim të paguaj prej 600 deri në 800 euro në muaj.

I dyshuari tjetër F.R. dyshohet se i ka dhënë një qytetari 22 mijë euro para me fajde dhe nga to ka përfituar 24,300 euro si dhe e ka obliguar të dëmtuarin për pagesën e 22 mijë eurove të marra me fajde.

Përpos 22 mijë eurove F.R. dyshohet edhe se ia ka dhënë një personi tjetër një shumë prej 7 mijë euro me fajde, duke përfituar nga kjo shumë 3,500 euro, si dhe duke e obliguar të dëmtuarin edhe për 7 mijë eurot e marra në fillim.