Procesi: Si arriti të lirohet nga burgu i dyshuari për mashtrim në vlerë 800 mijë franga?

Prokuroria e Gjilanit ka nisur ta kontestojë vendimin e Gjykatës së Gjilanit, me të cilin Muhamed Shabani u la i lirë nga paraburgimi.

Shabani, i cili ishte paraburgosur me dyshimet se kishte mashtruar disa qytetarë për prona që kapnin vlerën prej 800 mijë frangash, u la i lirë vetëm 7 ditë pasi u burgos.

KALLXO.com zbuloi se më 27 dhjetor gjyqtari Veli Kryeziu kishte marrë vendim që t’i caktojë paraburgimin prej 30 ditësh Shabanit. Po i njëjti gjyqtar më 6 janar vendosi ta lirojë atë nga arresti, pas një kërkese që e kishte bërë mbrojtja ku ishte ofruar edhe një dorëzani prej 25 mijë eurosh.

Dosja e rastit tregon se Prokuroria e Gjilanit nuk është pajtuar me këtë vendim pasi në dosjen e lirimit mungon një vlerësim që do duhej ta ofronte prokurori.

Në një ankesë e cila është dorëzuar në Gjykatën e Apelit, Prokuroria thotë se gjyqtari Veli Kryeziu ka vepruar në kundërshtim me nenin 180, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale, i cili thekson se aktvendimi me të cilin pranohet dorëzania merret pas dorëzimit të mendimit të prokurorit të shtetit.

Në këtë rast, në ankesën e Prokurorisë përmendet se gjyqtari Veli Kryeziu në ditën kur kishte vendosur lirimin e të pandehurit nga paraburgimi, pra më 6 janar të këtij viti, i kishte kërkuar edhe mendim prokurorit të shtetit.

“Në shkresat e lëndës shihet se propozimi për deponimin e dorëzanisë që është bërë nga ana e mbrojtësit të të pandehurit, prokurorisë i është dorëzuar së bashku me aktvendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe caktimit të dorëzanisë me datë 6 janar 2023”- thuhet në ankesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit drejtuar Gjykatës së Apelit.

Avokati i Shabanit, Sherif Sherifi, edhe në seancën e procedurës paraprake kishte njoftuar se ishin të gatshëm të ofronin para si dorëzani.

Një tjetër çështje që ka ngritur edhe Prokuroria e Gjilanit, e që pretendon se është shkelje e procedurave nga ana e gjyqtarit Kryeziu është edhe konfiskimi i pasaportës.

Shabani me dokumente figuron si shtetas i Serbisë më saktësisht nga fshati Miratovc, Komuna e Preshevës.

Ai me vendbanim është në Zvicër. Prokuroria në Gjilan në ankesën drejtuar Gjykatës së Apelit ka potencuar se Kryeziu nuk ka përfillur nenin 180, paragrafin 5 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se personit që i nënshtrohet aktvendimit me dorëzani i konfiskohet përkohësisht dokumenti i udhëtimit përveç nëse ka arsye bindëse për gjykatën që të mos e konfiskojë këtë dokument.

Sipas Prokurorisë, Gjykata është dashur ta marrë për bazë edhe shtetësinë e të pandehurit si dhe vendbanimin e të njëjtit.

Në vendimin e gjyqtarit Veli Kryeziu, kur ka caktuar masën e paraburgimit te arsyetimi përmendet edhe se deri të aktvendimi ka ardhur pasi që i pandehuri nëse lihet në liri mund të përsëris veprën e njëjtë penale apo edhe ndonjë vepër tjetër.

Madje Kryeziu që ishte gjyqtar i procedurës paraprake në rastin e Muhamed Shabanit, në caktimin e masës së paraburgimit ka potencuar se ka vlerësuar edhe masat e tjera të sigurisë për të siguruar prezencën e të pandehurit në seanca dhe kishte ardhur në përfundim se nga masat tjera asnjë nuk ishte adekuate përveç asaj të paraburgimit.

Në arsyetimin e vendimit për lirimin nga paraburgimi, gjyqtari Kryeziu ka thënë se pas ofrimit të dorëzanisë nuk kishte pasur më arsye ligjore për të cilat i ishte caktuar masa e paraburgimit.

“Të njëjtit do t’i ndërprehet masa e paraburgimit me dorëzani, si garancion se i pandehuri do t’i përgjigjet ftesave të kësaj gjykate për shkak se i njëjti mund të arratiset për t’iu shmangur ftesave të gjykatës dhe do të mund të jetë i paarritshëm për organet gjyqësore sidomos duke pasur parasysh edhe faktin se i njëjti ka vendbanim në shtetin e Serbisë dhe është shtetas i Serbisë”- thuhet në arsyetimin e gjyqtarit për lirimin nga paraburgimi të Shabanit.

Edhe vet avokati i Shabanit, Sherif Sherifi, i cili u kontaktua nga KALLXO.com, tha se gjykata nuk ka kërkuar konfiskimin e pasaportës së klientit të tij për shkak se ai ka disa vendbanime dhe është lehtë i kontaktueshëm.

Muhamed Shabani është arrestuar nën dyshimet se ka mashtruar një familje dhe disa persona të tjerë në lidhje me shitblerjen e disa parcelave dhe shtëpive në fshatin Kmetoc të Komunës së Gjilanit.

Vlera e cila dyshohet se ishte marrë nga shitblerja kap shifrën e 800 mijë frangave zvicerane.

Avokati i Shabanit, Sherif Sherifi, në një bisedë me KALLXO.com tha se në rastin e klientit të tij kanë qenë disa gabime teknike. Kjo pasi që nuk ka qenë vetë Shabani që ka bërë shitblerjen por një person tjetër, i cili gabimisht ka vendosur numrat e parcelave të cilat kanë qenë të shitura më parë.

Avokati Sherifi edhe në seancën e shqyrtimit fillestar kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e Shabanit.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e gjyqtarit Veli Kryeziu i cili punon në Gjykatën e Gjilanit.

Në përgjigjet e dërguara në KALLXO.com, gjyqtari ka thënë se e ka njoftuar prokurorinë.

Të pyetur se kur është bërë njoftimi në përgjigje rekomandohet që të kontaktojmë me prokurorinë.

Siç e cekëm më lartë, është në diskrecionin e gjyqtarit të vendos, duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës”- thuhet në përgjigjet e gjyqtarit.

 Tutje në përgjigje thuhet edhe se: “Është pranuar dorëzania në shumën prej 25 mijë Euro për ndërprerjen e masës së paraburgimit, gjithashtu është njoftuar i pandehuri se nëse nuk i përgjigjet ftesave të gjykatës dhe prokurorisë, ikë apo kryen ndonjë vepër tjetër penale, atëherë ndaj tij caktohet masa e paraburgimit dhe shuma e dorëzanisë do të konfiskohet dhe do të derdhet në buxhetin e Republikës së Kosovës”.