Procesi i vettingut, Kurti dhe Haxhiu takojnë kryetarin e PDK-së

Pas dhënies së dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias për procesin e vettingut në Kosovë, kreu i ekzekutivit Albin Kurti dhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu kanë filluar takimet me partitë opozitare, ku të parën kanë zgjedhur Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke u pritur në takim nga kryetari i saj Memli Krasniqi.

Pas këtij takimi kryeministri Kurti tha se reformat në drejtësi janë nevojë e përbashkët.

“Diskutuam për vettingun në sistemin e drejtësisë, konstatojmë nevojën e përbashkët që të bëhet reforma në drejtësi dhe këto janë konsultime për rolin e të gjitha institucioneve në këtë ndërmarrje tejet të rëndësishme për forcimin e shtetit të Kosovës dhe ngritjen e cilësisë në drejtësi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim do të takojnë edhe përfaqësuesit e partive të tjera politike në vend.

“Ne porsa filluam konsultimet do ti takojmë edhe udhëheqjet e partive të tjera politike, duhet theksuar që në procesin e vettingut të gjithë duhet të kontribuojnë, Qeveria Kuvendi dhe institucionet e tjera, sepse është një ndërmarrje që ka të bëjë me të gjithë shtetin”, theksoi Kurti.

Vettingu është proces i përkohshëm për vlerësimin e aftësive profesionale, performancës, integritetit dhe pasurisë së gjykatësve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Qëllimi i këtij procesi sipas koncept dokumentit është ndryshimi i gjendjes aktuale të sisitemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Ky proces synohet të zgjasë pesë vite, ku kujdes të veçantë do t’i kushtohet vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas koncept dokumnetit për zyrtarët e lartë shtetërorë, vlerësimi i performancës do ketë tjetër natyrë dhe të tjera kritere, KGJK dhe KPK vet do të shkarkojnë nëpunësit në shkallë të fundit, ndërsa si instancë për ankimim në rastet e shkarkimit do të jetë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Vettingu do të realizohet për mbledhjen e tri llojeve të të dhënave për gjyqtarët dhe prokurorët, të dhënat rreth aftësive profesionale dhe performancës, të dhënat rreth pasurisë dhe informata të tjera të lidhura me integritetin.

Të dhënat rreth aftësive profesionale përfshijnë rastet kur një vendim paraqet arsyeshmëri të çuditshme e të mangët, ashtu që të rezultojë në mungesë të drejtshmërisë dhe paanësisë.

Të dhënat rreth pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve përfshijnë verifikimin e pasurisë së deklaruar dhe kontrollin e  pasurive, ligjshmërinë e burimit të krijimit të tyre, përmbushjes së detyrimeve financiare.

Sipas koncept dokumentit vlerësimi rreth pasurisë do të jetë në drejtim të asaj se a është keqpërdorur pozita si gjyqtar/prokuror për t’i sjellë përfitime financiare vetes apo personit të tretë.

Të dhënat lidhur me integritetin përfshijnë  informatat mbi lidhjet-afërsitë politike ose me grupet e tjera të interesit të kandidatit të cilat ndikojnë në vendimmarrjen e tyre, dhe informata të tjera të mbledhura nga terreni.

Albin Kurti: Sot fillon jetësimi i punës një vjeçare për vetingun