Parlamenti Evropian

Procesi i Liberalizmit të vizave për Kosovën pritet të përmbyllet gjatë prillit në Parlament Evropian

Pas më shumë se 10 viteve prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën, vendimi në seancën e Parlamentit Evropian pritet të merret gjatë muajit prill 2023, duke shënuar njëherit edhe hapin e fundit të këtij procesi.

Vendimi për heqjen e vizave për kosovarët pritet të hidhet në votim mes datave 17 dhe 20 prill në seancë plenare të Parlamentit.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com, zyrtari për media në Parlamentin Evropian, Janne Ojamo, teksa ka thënë se para votimit në seancë, vendimi pritet të votohet brenda Komisionit për Drejtat Civile, Punë të Brendshme dhe Drejtësi (LIBE).

“Për shkak se është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit u miratua në 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë për një tjetër votë LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit. Hapat e ardhshëm janë votimi LIBE dhe së fundi, votimi plenar në prill, midis 17 dhe 20 prill. Ky do të ishte hapi i fundit në këtë proces”- ka thënë Ojamo për KALLXO.com.

Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Marrëveshja për liberalizimin e vizave ishte arritur në dhjetor të vitit të kaluar në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politike Evropiane (EPIK), është shprehur optimist që vendimi për heqjen e vizave do të miratohet në seancë të Parlamentit Evropian.

Ai thotë për KALLXO.com se PE çdo herë ka mbështetur pa rezerva Kosovën dhe rrugën e saj integruese.

“Është e arsyeshme të presim që deri në fund të muajit prill të përfundon kjo procedurë brenda PE-se. Gjasat janë 100%, pasi që PE çdo herë ka mbështetur pa rezerva Kosovën dhe rrugën e saj integruese. Jo, nuk besoj [që mund të bllokohet procesi], pasi që tani institucioni kryesor i cili nga viti 2018 ka bllokuar procesin e liberalizimit (Këshilli i BE-se) ka dhënë driten e gjelbër. Pra, tani edhe me dashtë Këshilli me blloku procesin e liberalizimit të vizave, nuk ka më rrugë ligjore për të bërë një gjë të tillë”- ka thënë Shasha.

Ai konsideron që “procesi i liberalizimit të vizave tani është i pakthyeshëm”.

Edhe Zyra e zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se presin që të gjithë hapat procedural dhe zyrtarizimi, të përmbyllet në gjysmën e parë të këtij viti.

“Kemi të bëjmë me dy miratime: i pari është në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE), i cili pritet të mbahet para përfundimit të muajit, me gjasë drejt fundit të javës së ardhshme. Miratimi i dytë i nevojshëm është ai në seancën plenare të Parlamentit Evropian, që pritet të mbahet gjatë muajit prill. Më tej mbetet vetëm nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare para hyrjes në fuqi. Presim që të gjithë hapat procedural dhe zyrtarizimi, të përmbyllet në gjysmën e parë të këtij viti”- ka thënë këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu.

Zyrtari për media në Parlamentin Evropian, Janne Ojamo, ka thënë se vendimi hyn në fuqi në ditën e njëzetë pas publikimit të saj në Gazetë Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Javën e kaluar, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e dërguar kështu një hap para procesin e heqjes së vizave për kosovarët.

Më këtë vendim i cili u miratua në unanimitet, Kosova është një hap larg liberalizmit të vizave duke qenë se pas miratimit në Parlament, vendimi nënshkruhet dhe publikohet në gazetën zyrtare të BE-së për të hyrë në fuqi disa ditë më vonë.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor 2022, Franca propozoj që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.

Deri tek kjo mbledhje kishte ardhur pas letrës të cilën presidenca çeke e BE-së ia kishte dërguar vendeve anëtare për të diskutuar për këtë temë.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Bashkimi Evropian para pak ditëve, e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai ishte paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.