Procesi i kontestuar i noterisë, flet kryetari i komisionit përzgjedhës

Kryetari i komisionit përzgjedhës të noterëve të rinj dhe ish-kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka folur pas reagimeve mbi procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.

Sot gjatë ditës në deklarime të ndara ka reaguar Zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt.

“Sa i përket konfliktit të interesit, ju e keni edhe opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe ajo ka dalë me opinionin e vet. Tash për tutje, të shohim se çfarë  po bën Ministria. Ne e kemi kryer punën tonë deri në atë fazë ku kemi pasë mandat, tash është çështje e Ministrisë se si vepron”, ka thënë Nehat Idrizi për KALLXO.com.

Sipas Idrizit, procesi i rekrutimit të noterëve të rinj ka qenë i rregullt.

“Procesi ka qenë i rregullt me procedurat që kanë qenë të parapara”, tha tutje kryetari i komisionit përzgjedhës të noterëve të rinj.

I pyetur për reagimet e zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorit gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, Idrizi ka thënë se nuk i ka parë ende reagimet.

“Nuk është çështje e jona më, është krejtësisht çështje e Ministrisë”, insiston Nehat Idrizi.

Sot gjatë ditës, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë kërkoi nga Ministria e Drejtësisë anulimin e procesit të noterëve të rinj.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës që të përmbahen nga emërimet e ndonjë noteri pasi besojmë fuqimisht se vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Europian.

Reagime kanë ardhur edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë. Në një postim në “Twitter”, ambasadori Christian Heldt kërkoi që të respektohen rekomandimet e Zyrës së BE-së në Kosovë.

“BE ka nxjerrë një deklaratë duke paralajmëruar për emërimet e nxituara të noterëve sot, e ndjekur nga deklarata e Ministrit të Drejtësisë në Kosovë, duke thënë se ai do të shkojë përpara me procesin  gjithsesi. Unë rekomandoj fuqishëm marrjen seriozisht të shqetësimeve të shprehura: Njerëzit këtu nuk shërbehen nëse aktet noteriale nuk njihen jashtë vendit”, thuhet në reagimin e Ambasadorit Gjerman.

Por, me këto reagime nuk është pajtuar ministri në detyrë i Drejtësisë nga PDK, Abelard Tahiri.

“Ky postulat i domosdoshëm, nuk është subjekt i ujdive politike të askujt dhe të asgjëje. Nuk ka asnjë garanci, as nevojë dhe as arsye që një proces i tillë i nisur dhe realizuar në mënyrë legjitime, të lihet anash e të mos marrë epilog, së paku për ato raste që janë emergjente. Për njohuri të opinionit publik, dëshiroj të sqaroj se ky proces do të marrë epilog legjitim në harmoni të plotë me ligjin dhe në partneritet të plotë me Oden e Noterëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkohë, në një bisedë për KALLXO.com, Albulena Haxhiu, ish- kryesuese e Komisionit Paralametar për Legjislacion, ka kërkuar që procesi i rekrutimit të noterëve të rinj të kthehet në pikën zero.

Lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik lidhur me dyshimet se pati konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes së noterëve.

Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Pas hetimit, AKK ka dalur me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.