Ilustrim, Foto: KALLXO.com

Procedurat që duhet t’i ndjekin qytetarët që hynë në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar për fazën e tretë të lehtësimit të kufizimeve të vendosura për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se në mesin e masave është edhe hapja e disa pikave kufitare tokësore.

Fjala është për pikë-kalimet kufitare në Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinje dhe Dheu i Bardhë.

Ndërsa, Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit ka njoftuar për procedurat të cilat duhet t’i ndjekin qytetarët që hynë në territorin e Kosovës:

Të gjithë personat që hynë në Republikën e Kosovës obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare) në pikat e kalimeve kufitare dhe t’i zbatojnë masat e mbrojtjes kundër COVID-19,

Të gjithë personat që hynë në territorin e Kosovës dhe posedojnë rezultate negative për testin për COVID-19 (jo më i vjetër se 4 ditë) nuk i nënshtrohen procedurave të vetizolimit;

Ata që nuk kanë testin detyrohen të vetizolohen për 7 ditë;

Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat e kalimit kufitar;

Deri më 20.6.2020 do të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do reflektohen masat e reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.