Procedurat për zgjedhjen e Qeverisë sipas Kushtetutës së Kosovës

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet nesër (e hënë) në ora 11:00, për ta votuar formimin e Qeverisë se re të Kosovës, gati 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Brenda afatit 15 ditor të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, i mandatuari për kryeministër, nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti kërkoi që seanca për votimin e ekzekutivit të mbahet më 3 shkurt, kërkesë kjo e cila iu aprovua nga Kryesia e Kuvendit.

Dy ditë më pas, këtë të diel LVV-ja si parti e parë e dalë nga zgjedhjet dhe LDK-ja e dyta, njoftuan për nënshkrimin e koalicionit qeverisës.

Ndërkaq, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, apo minimumi 61 vota të tyre.

Aktualisht, sipas rezultateve përfundimtare, LVV-ja i ka 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq LDK-ja 28 ligjvënës. Këtyre subjekteve u duhen edhe 4 vota për ta siguruar shumicën.

Akti më i lartë juridik në pikën 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], përcakton se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

“Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në po të njëjtën pikë.

Ndërsa, në pikën 6 thuhet se anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit, përderisa teksti i betimit rregullohet me ligj.

Partitë që pritet ta udhëheqin vendit, sot bënë të ditur se do të drejtojnë secila nga 6 ministri, si dhe 3 të tjera do t’u takojnë komuniteteve jo-shumicë.

Çështja e ministrive dhe përfaqësimi i komuniteteve është po ashtu i përcaktuar në nenin 96 të Kushtetutës së Kosovës.

“Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet jo shumicë në Kosovë”, thuhet në pikën 3 të këtij neni.

Kurse pika 4 thotë se do të jenë së paku dy zëvendësministra nga komuniteti Serb i Kosovës dhe dy zëvendësministra nga komunitete të tjera jo shumicë në Kosovë.

Si dhe, nëse janë më shumë se dymbëdhjetë 12 ministra, Qeveria do të ketë edhe një zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin Serb, dhe një tjetër zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet e tjera jo shumicë në Kosovë.

“Zgjedhja e këtyre ministrave dhe zëvendësministrave do të vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, thuhet në pikën 5.

Pika 6 përcakton se Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e Qeverisë mund të zgjidhen nga deputetë të Kuvendit të Kosovës ose nga persona të kualifikuar, që nuk janë deputetë të Kuvendit.