Procedura e shkarkimit të anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, sipas Ligjit për KGjK-në
Komisioni për Legjislacion sot ka iniciuar shkarkimin e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës-së/gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Driton Muharremi, pas skandalit me përgjime që janë publikuar ditët e fundit.
Kësisoj me kërkesë të Komisionit rekomandimi për shkarkim do t’i përcillet Kuvendit të Kosovës në seancë. Ende nuk dihet nëse kjo çështje do të futet në rend dite gjatë seancës së sotme.
Shkarkimi i anëtarëve të KGjK-së të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, përcaktohet me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Neni 10 i këtij ligjipër procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit nga Kuvendi, pika 10 thekson se shkarkimi i anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, bëhet nga Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, me propozim të Komisionit përkatës ose Këshillit.
Pra për shkarkimin e një anëtari nevojitën së paku 61 vota të deputetëve.
Media online “Shqip.com” ka publikuar pjesë me audioinçizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në këto audioinçizime përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.
Në këto audioinçizime po pretendohet kapja e sistemit medial, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.
Në audioiniçizimet e publikuara pretendohet të jetë i përfshirë edhe gjyqtari Driton Muharremi.
KALLXO.com sot sërish ka provuar të marr një qëndrim nga Muharremi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
KALLXO.com dje ka raportuar se Prokuroria Speciale ka marrë kërkesë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që të hetojë audio- incizimet të cilat janë publikuar nga media online “Shqip.com” e të cilat pretendohen se janë përgjime të vitit të kaluar.