Procedohet në seancë plenare raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga Bekë Berisha, zëvendëskryetar i komisionit, u shqyrtua raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe privatësi për vitin 2019.

Sipas një njoftimi për media, raporti u prezantua nga drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Bujar Sadiku, ndërkaq, anëtarë të Komisionit kërkuan një varg sqarimesh nga ai.

Me theks të veçantë, u diskutua lidhur me kërkesat për qasje në dokumente zyrtare, vendimet e ankesave të qytetarëve apo atyre zyrtarëve të cilëve u është shkelur privatësia dhe një sërë çështjesh tjera që ndërlidhen me punën e kësaj agjencie.

Po ashtu, u kërkua nga përfaqësues të kësaj agjencie që të jenë të kujdesshëm dhe këmbëngulës në zbatim të ligjit.

Pas shterimit të diskutimit lidhur me këtë raport, Komisioni diskutoi edhe lidhur me zgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke theksuar në vijim që paneli të vazhdojë tutje punën për zgjedhjen e Komisionerit.

Krejtësisht në fund, Komisioni, miratoi raportin dhe procedohet në seancë plenare.

Komisioni po ashtu vendosi që në mbledhjet e radhës të ftohen për raportim ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, dhe më pas të raportojë edhe u.d i kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës.