Procedohen për votim në Kuvend pesë kandidatë për në Gjykatë Kushtetuese

Komisioni i posaçëm më 14.11.2024 i ka proceduar për votim në Kuvend të Kosovës pesë emrat e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatë Kushtetuese.

Pas intervistimit me gojë, Komisioni ka njoftuar se sipas rezultateve të poentimit, pesë kandidatët janë: Flamur Mrasori,  Ardita Haxhnikaj-Demi, Avdylkadër Muçaj, Selman Ymeri dhe Ramadan Gashi.

Emrat janë propozuar për plotësimin e dy pozitave në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë, të cilët do të jenë juristë të shquar dhe jo me më pak se 10 vjet përvojë profesionale përkatëse. Kualifikimet e tjera përkatëse rregullohen me ligj.

Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit.

Dy gjyqtarët që pritet të emërohen nga Kuvendi i Kosovës do të kenë mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.

Vendimi për të propozuar shtatë nga gjyqtarët, varet nga miratimi i 2/3 të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Vendimi për të propozuar dy gjyqtarët e tjerë, merret me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, por që mund të bëhet vetëm pas pëlqimit të shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet që janë rezervuar ose garantuar për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.