Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Procedohen për konsultime projektligji për pagat në sektorin publik dhe ai për zyrtarët publik

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë proceduar në konsultime paraprake projektligji për pagat në sektorin publik dhe projektligji për zyrtarët publikë.

Tutje, Sveçla ka sqaruar se projektligji për pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa për projektligjin për zyrtarët publikë, Sveçla ka thënë se ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës të zyrtares e zyrtarit publik në institucionet e Kosovës.

“Projektligji do të zbatohet për zyrtaren e zyrtarin publik duke përcaktuar shprehimisht institucionet e kategoritë që nuk janë në fushëveprimin e këtij ligji si dhe nënkategoritë që kanë status të veçantë, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen ndryshe”, ka thënë ai.

Tutje ministri Sveçla ka theksuar se me qëllim të rregullimit adekuat të kornizës ligjore, projektligji do t’i adresojë problemet të cilat janë shfaqur në praktikë dhe në aspektin ligjor gjatë zbatimit të Ligjit në fuqi për zyrtarët publikë si dhe do të jetë në harmoni me rekomandimet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Të dyja këto ligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës publike sa i takon të drejtave, profesionalizimin e administratës publike sa i takon shërbimeve dhe qëllimit se përse ekziston administrata dhe padyshim rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies”, ka thënë ai.

Projektligjet do të kalojnë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin paraprak për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ligji për zyrtarët publikë pati hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, por me 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.

Me këtë ligj rregullohet marrëdhënia juridike ndërmjet shtetit dhe zyrtarëve publikë. Zyrtarë publikë janë: nëpunësi i Shërbimit Civil (në tekstin në vijim: nëpunësi civil), nëpunësi i Shërbimit Publik, nëpunësi i Kabinetit, nëpunësi administrativ dhe mbështetës.