Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Problemi me qentë endacakë, kandidatët e Lipjanit zgjidhjen ia lënë Agjencisë së Veterinarisë

Kandidatët për kryetar të Komunës së Lipjanit, në Debat Pernime kanë treguar se çfarë do të ndërmarrin për qentë endacak në këtë komunë, ndonëse nuk kanë dhënë ndonjë premtim specifik për këtë çështje.

Kandidatët për kryetar kanë kërkuar që Agjencia e Veterinarisë që të bë një zgjidhje për të gjitha komunat.

Problemin me qentë endacak e kanë adresuar në Debat Pernime, qytetarët e Lipjanit, para debatit me kandidatët për udhëheqjen e Lipjanit.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetar të komunës, Adnan Rrustemi tha se duhet ndërtuar strehimore për qentë endacakë.

“Komuna ka përgjegjësi ligjore për t’i vaksinuar kundër tërbimit. Është një problem kompleks që duhet ta zgjidhim me Agjencinë e Veterinarisë duke krijuar mundësinë e strehimores”, tha ai.

Kurse, kandidati i LDK-së për kryetar të Lipjanit dhe kryetari aktual, Imri Ahmeti tha se ky është një problem në nivel të Kosovës.

“Është problem në nivel vendi. Buxheti ka kaluar në agjencinë e veterinairë. Komuant duan që tproblemi të zgjidhet në nivel vendi. Ne si Lipjan kemi marrëveshje me një kompani. Kjo problematike duhet me u zgjidhë mes komunave dhe agjencisë”, theksoi ai.

Zgjidhje për këtë shqetësim të qytetarëve nuk ofroi as kandidati nga radhët e AAK-së, Bashkim Budakova.

“Për mirëmbajen e një qeni brenda 24 orës, për mirëmbjajtene  tij duhen 27 euro. Është një kosto e lartë”, u shpreh ai në Debat Pernime.

Kurse, kandidati i PDK-së, Hyzer Rizani theksoi se në program e kanë zgjidhjen e këtij problemi.

“Ne duhet të jemi shumë azhur për sigurinë e qytetarëve. Në programin tim e kemi që të subvenciojmë strehimoret që të zgjidhet ky problem, që të mos rrezikohet asnjë qytetar. Do të subvencojmë për një hapësirë për t’i grumbulluar qentë që t’i heqim nga sheshet dhe nga fshatrat”, theksoi ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Lipjanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Lipjanit: Adnan Rrustemi nga LVV; Bashkim Budakova nga AAK; Hyzret Rizani nga PDK dhe Imri Ahmeti nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Lipjanit: Egzona Bytyqi dhe Lumturije Bytyqi Hasani nga PDK; Hyra Bytyçi dhe Safete Amerllahu nga LDK; Majlinda Agushi nga AAK dhe Shahadije Dragaqina nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.