Problemi me mungesën e mjekëve të specializuar në mjekësinë emergjente

KALLXO.com për problemin në lidhje me mos specializimin e mjekëve dhe mungesën e mjekëve në spitalet regjionale ka kontaktuar Federatë e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Blerim Syla, kryetar i sindikatave të mjekëve, thotë se këto probleme asnjë nga ministrat e deri më tashëm nuk e kanë marrë parasysh.

Ai thotë se nuk kanë hasur në mirëkuptim.

“FSShK-ë në vazhdimësi e ka përcjellë këtë gjendje dhe ka adresua të secili Ministër por nuk kemi hasur në mirëkuptim”,  shprehet Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Tutje shprehet i pa kënaqur me punën e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Vetë emergjenca është një ndër profilet më të vështira dhe shumica e mjekëve hezitojnë që të marrin këtë specializim, motivimi për këtë lëmi është po thuaj se zero dhe asnjë ministër nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim që të motivoj njerëzit më qëllim të specializimit në këtë fushë”, vazhdon tutje ai.

Tash e tre vite nuk janë bërë specializime edhe pse sindikata e mjekëve në vazhdimësi ka alarmuar këtë problem, por mjekët nuk kanë motiv të specializohen.

Edhe ShSKUK thotë se njëra ndër arsyet që ka mungesë të mjekëve emergjent është mos specializimi tash e disa vite në këtë lëmi.

“Sa i përket Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë dhe spitalet tjera kanë qenë ndër spitalet që më së shumti i janë lejuar punësime,  por ka disa profile mjekësore janë në mungesë, meqë ka disa vjet që nuk janë ndarë specializime dhe kjo ka bërë që të ketë mungesë”, thotë në përgjigjet e ShSKUK-së

Drejtoria e ShSKUK-së shprehet e gatshme të i mbështesë spitalet në përgjithësi.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë thotë se këtë punë ua ka lënë në dorë ShSKUK-s.

“Të gjithë Spitalet janë pjesë e ShSKUK-s. MSh si institucion politik bërës, brenda mandatit dhe kapaciteteve të veta, implementon kërkesat e institucioneve dhe i mbështet ato në zbatimin e planeve që kanë të bëjnë edhe me fuqizimin e resurseve nga profilet që kanë nevojë institucioneve shëndetësore”, është përgjigjur për KALLXO.com Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Prishtinë sipas zyrtares së lartë për shërbime të studentëve Syzana Zejnullahu, në 6 departamente gjatë viteve 2016, 2017 dhe 2018 janë diplomuar 1866 studentë.