Problemi i furnizimit me ushqim për FSK-në, Kuvendi mblidhet të hënën në seancë të jashtëzakonshme
Kuvendi i Kosovës, të hënën më 14.10.2024, do të mbaj seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kështu ka njoftuar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri. Ai ka bërë të ditur se me kërkesë të GP të AAK-së janë mbledhur 43 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e kësaj seance.
“Nesër, në ora 12:00, me kërkesë të Grupit Parlamentar të AAK-së, të mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues, do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për problemin e furnizimit me ushqim për Ushtrinë e Kosovës. Propozim Rezoluta është e thjeshtë: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme’. Nesër Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidhë këtë çështje. Për sqarim: ky draft i Rezolutës mund të plotësohet nga deputetët në seancë”- ka shkruar ai në Facebook.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se këto ditë kanë bërë përpjekje të “vazhdueshme për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Maqedonci ka njoftuar se pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që është bërë më 10 tetor, do të vazhdojnë hapat për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses deri në finalizimin e plotë të rekrutimit të personelit civil të specializuar, i cili do të integrohet në kuadër të FSK-së.
Ushqimi i ushtarëve të FSK-së, deklarohet ministri i Mbrojtjes
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës në lidhje me situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim për pjesëtarët e FSK-së.
Përveç raportit, Presidentja Osmani ka ftuar në takim komandantin Bashkim Jasharin dhe Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedoncin.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina.
Tutje ai ka shtuar se presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional.
“Përndryshe, Presidentja Osmani ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherit edhe motivin e tyre. Mirëpo, ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament”- ka thënë tutje Kupina.
Sipas tij programi 7 pikësh përfshin, pagesat e shtesave për rrezikshmëri, pagesat e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, pagesat e mëditjeve për pjesëtarët e FSK-së gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit (gjatë tërë periudhës së shkollimit apo trajnimit e jo vetëm për 1 muaj), sigurimin shëndetësor, funksionalizimi i spitalit ushtarak me shërbime të nivelit sekondar dhe terciar mjekësor, përmirësimin e cilësisë së ushqimit me standardet me të larta shëndetësore dhe sanitare, sigurimi i banimit të përballueshëm për ushtarakët dhe familjet e tyre si dhe krijimin e fondit kreditues për ushtarakët.
KALLXO.com në shtator ka publikuar hulumtimin për historinë e tenderëve njëburimor që Ministria e Mbrojtjes i dha për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.
Historia e ‘tenderëve njëburimor’ të Ministrisë së Mbrojtjes për ushqimin e ushtarëve të FSK-së
Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.
Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.