Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Problemet teknike me internet dhe thirrje, Telekomi thotë se ka kthyer të gjitha shërbimet

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se kanë rregulluar njërin nga serverët i cili sipas tyre mbrëmë ka shfaqur disa probleme teknike.

Siç ka bërë të ditur Telekomi, dje në orët e mbrëmjes dhe sot në orët e hershme të mëngjesit, në njërin nga serverët e tyre  janë shfaqur disa probleme teknike.

Këto probleme sipas Telekomit, konsumatorëve me parapagim (prepaid), u kanë krijuar vështirësi ose u kanë pamundësuar realizimin e thirrjeve dhe përdorimin e internetit.

“Ekipi ynë teknik, gjatë natës së mbrëmshme dhe në orët e hershme të mëngjesit ka punuar vazhdimisht për tejkalimin e këtyre problemeve dhe të njëjtat janë tejkaluar rreth orës gjashtë të mëngjesit. Aktualisht janë kthyer të gjitha shërbimet. Ekipet tona janë duke vazhduar punën për të evituar edhe problemet e mbetura, përcjellëse, të cilat nuk afektojnë drejtpërdrejt shërbimet”- thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Mbrëmë është raportuar nga konsumatorët e Telekomit të Kosovës për vështirësi në përdorimin e shërbimeve.