
Foto: CACTTUS sh.a
Problemet në ueb-faqen e KQZ-së, flet avokati i kompanisë CACTTUS
Përfaqësuesi ligjor i kompanisë CACTTUS, Arianit Koci, thotë se kjo kompani nuk e ka zhvilluar ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dhe nuk është përgjegjëse për hostimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e saj nga sulmet eventuale kibernetike.
Sipas tij, kompania në fjalë është kontraktuar nga OSBE për të zhvilluar Aplikacionin Softuerik për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ndërsa, siç thotë Koci, ky aplikacion është i vendosur në infrastrukturën qeveritare e cila menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
“Për çështjet që lidhen me sigurinë e infrastrukturës harduerike, sigurinë dhe mbrojtjen e infrastrukturës komunikuese elektronike dhe të të dhënave, dhe luftimin e krimit elektronik (cyber crime), si dhe funksionimin e uebfaqes apo aplikacioneve të tjera softuerike brenda infrastrukturës qeveritare, përgjegjësia i takon ASHI, sipas LIGJIT Nr. 04/L-145 PËR ORGANET QEVERITARE PËR SHOQËRINË E INFORMACIONIT”- thuhet në deklaratën e avokatit Koci të publikuar në Facebook.
Për çdo pyetje, udhëzon mediat t’i drejtohen Kocit si përfaqësues ligjor i kompanisë CACTTUS.
Kompania CACTTUS më 10.02.2025 ka lëshuar një deklaratë për të informuar opinionin publik në lidhje me problemet e hasura me performancën e aplikacionit softuerik të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës gjatë zgjedhjeve të 09.02.2025.
Kjo kompani kishte thënë se janë të vetëdijshëm se ueb-faqja e KQZ-së pati probleme me performancën në orët e mbrëmjes, duke rezultuar në vonesa në paraqitjen e të dhënave në faqen e internetit.
Sipas kompanisë, problemi u shkaktua nga një konfigurim jooptimal i shërbimit të Cloudflare, që është menaxhuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe KQZ, dhe jo nga logjika e aplikacionit të votimit.
CACTTUS gjithashtu ka raportuar se faqja e internetit e KQZ-së ka qenë vazhdimisht shënjestër e sulmeve kibernetike, përfshirë sulme DDoS (Distributed Denial of Service), të cilat kanë mbingarkuar serverët dhe kanë paraqitur një sfidë shtesë për mbajtjen e disponueshmërisë së faqes
“Në thelb, është si një bllokim i madh trafiku në një autostradë digjitale, duke penguar përdoruesit legjitimë të arrijnë në destinacionin e tyre. Ndërsa vetë aplikacioni i votimit mbeti i sigurt dhe funksional, këto sulme kanë paraqitur një sfidë shtesë për ruajtjen e disponueshmërisë së vazhdueshme të faqes së internetit. Ne po bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Komisionin Zgjedhor të Kosovës, organet e drejtësisë dhe agjencitë qeveritare përkatëse për të zbutur këto sulme dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit”- thuhej në reagim.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kishte njoftuar se kanë arritur të tejkalojnë problemin me publikimin e rezultateve preliminare nga procesi i votimit, i zhvilluar më 09.02.2025.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), kishte njoftuar më 09.02.2025 se për shkak të dështimit të sistemit në uebfaqen e këtij institucioni së bashku me stafin do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në sistem.