Foto: CACTTUS sh.a

Problemet në ueb-faqen e KQZ-së, deklarohet kompania që e menaxhoi sistemin

Kompania CACTTUS më 10.02.2025 ka lëshuar një deklaratë për të informuar opinionin publik në lidhje me problemet e hasura me performancën e aplikacionit softuerik të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës gjatë zgjedhjeve të 09.02.2025.

Kjo kompani ka thënë se janë të vetëdijshëm se ueb-faqja e KQZ-së pati probleme me performancën në orët e mbrëmjes, duke rezultuar në vonesa në paraqitjen e të dhënave në faqen e internetit.

Sipas kompanisë, problemi u shkaktua nga një konfigurim jooptimal i shërbimit të Cloudflare, që është menaxhuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe KQZ, dhe jo nga logjika e aplikacionit të votimit.

CACTTUS gjithashtu ka raportuar se faqja e internetit e KQZ-së ka qenë vazhdimisht shënjestër e sulmeve kibernetike, përfshirë sulme DDoS (Distributed Denial of Service), të cilat kanë mbingarkuar serverët dhe kanë paraqitur një sfidë shtesë për mbajtjen e disponueshmërisë së faqes.

“Në thelb, është si një bllokim i madh trafiku në një autostradë digjitale, duke penguar përdoruesit legjitimë të arrijnë në destinacionin e tyre. Ndërsa vetë aplikacioni i votimit mbeti i sigurt dhe funksional, këto sulme kanë paraqitur një sfidë shtesë për ruajtjen e disponueshmërisë së vazhdueshme të faqes së internetit. Ne po bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Komisionin Zgjedhor të Kosovës, organet e drejtësisë dhe agjencitë qeveritare përkatëse për të zbutur këto sulme dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit”- thuhet në reagim.

Deklaratën e plotë të kompanisë mund ta gjeni në këtë LINK.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) sot ka njoftuar se kanë arritur të tejkalojnë problemin me publikimin e rezultateve preliminare nga procesi i votimit, i zhvilluar më 09.02.2025.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), ka njoftuar mbrëmë, më 09.02.2025, se për shkak të dështimit të sistemit në uebfaqen e këtij institucioni së bashku me stafin do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në sistem.

 

KQZ: Problemi me publikimin e rezultateve preliminare është tejkaluar