
Problemet me uebfaqen e KQZ-së, presidentja Osmani kërkon që çdo votë të numërohet saktë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë.
Kështu njofton Presidenca përmes një njoftimi të lëshuar të dielën, më 09.02.2025.
“Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit – informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja – Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë.” – thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Presidenca shkruan se Osmani ka përgëzuar qytetarët e Kosovës që, sipas saj, edhe në këtë proces zgjedhor kanë treguar kulturë të lartë demokratike.
Në njoftim theksohet se Presidentja do të vazhdojë që të jetë në kontakt me institucionet përkatëse deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor – përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve – të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se për shkak të dështimit të Sistemit, së bashku me stafin, do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në Sistem.
“Stafi i KQZ-së dhe ne anëtarët e KQZ-së do të jemi gjithë natën në objekt dhe do të punohet që të gjitha të dhënat nga Formularët nga vendvotimet të futen manualisht në Sistem.” – tha ai në Konferencë për media.
Radoniqi tha se nuk do të ketë publikim periodik dhe nuk kanë informacion se pse ka ndodhur një dështim i tillë në Sistem.
KQZ do të procesojë manualisht të dhënat nga formularët, nuk ka publikim periodik
Sipas rezultateve preliminare pas numërimit të 73% të votave, KQZ njofton se Lëvizja Vetëvendosje prin me 42% të votave, e ndjekur nga PDK me 22.7%, LDK 17.9%, koalicioni AAK-NISMA 7.56%.
Votues të regjistruar për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ishin 1.970.944, ndërsa kanë votuar mbi 40% e tyre.