Problemet me kanalizimin e dëmtuar në rrugën “Kuvendi i Lezhës” në fshatin Zhabar të Epërm
Kanalizimi në lagjen “Kuvendi i Lezhës” në fshatin Zhabar të Epërm në Mitrovicën Jugore, po paraqet problem për familjen Jashari.
Azem Jashari, thotë se kanalizimi në rrugën “Kuvendi i Lezhës” është më shumë se dy vite që po u shkakton telashe në lagje.
“Në rrugë kryesore, këtu afër dyerve të mija, gjendja e kanalizimit është kështu që dy vite, e po vazhdon njëjtë me qenë në këtë gjendje”- ka thënë Jashari.
Siç thotë ai, shumë herë kanë ardhur punëtorët e ujësjellësit, mirëpo “gjendja e tyre e punës është për të ardhur keq”.
“Ujësjellësi është ardhë 3 herë, që i kom pa unë, a kanë qenë më herët e si kam pa unë nuk e di. Nuk kanë çka bëjnë, nuk kanë mjete, mjerisht”- deklaroi Jashari për KALLXO.com
“Punëtorët e ujësjellësit janë mundu me i hap me një gyp me gjatësi dy ose tri metra, më vjen keq me thanë po me këtë nuk kryen kurgjë punë”- vazhdon rrëfimin e tij Jashari nga Zhabari i Mitrovicës.
Ai tutje thotë se për këtë ka kërkuar zgjidhje nga komuna, por që nuk i janë përgjigjur asnjëherë.
“As inspeksion, as komunë e as kurrkush nuk është ardhë me u interesu”- deklaron Jashari.
Sipas tij, hera e fundit kur është bllokuar kanalizimi ka qenë para dhjetë ditësh, por që thotë se përsëri organet kompetente nuk e kanë ndihmuar.
“Po, para dhjetë dite është blloku përsëri, bile ky njeri tha unë i thirri tash e kanë me ardhë, i kam dëgju në telefon kur ju thotë punëtorëve nëse është nevoja kena me punu tanë ditën, edhe duhet me çelë”- vazhdon Jashari.
Historia e hapjes së kanalizimeve është duke u bërë me disa gypa, e sipas tyre, për këtë duhet të intervenojë komuna.
Siç thonë banorët, gjendja e kanalizimit në Zhabar të Mitrovicës është në gjendje jo të mirë, mirëpo akterët komunal ende nuk janë duke intervenuar për ta sanuar problemin.
“Po, më vjen keq, kjo histori është duke vazhdu ende, stinët po ndërrojnë e gjendja rëndohet më shumë gjatë dimrit e që mundet me sjellë fatkeqësi rrugore”- përfundon Azem Jashari për KALLXO.com.
Niman Baliu, zëdhënës i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” ka theksuar për KALLXO.com ujësjellësi nuk ndërton rrjete të kanalizimit, por vetëm i mirëmbajnë ato.
“Sikurse deri më tani ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen që të intervenojmë në mirëmbajtjen e atij kanali të hapur aq sa kemi mundësi dhe kapacitete”- ka deklaruar Baliu.
Zëdhënësi i KRU “Mitrovica”, Niman Baliu, ka thënë se në projektin për ndërtimin e Impiantit të Ujërave të Ndotura, është propozuar që të ndërtohet një sistem i kanalizimit ku do të përfshihen edhe këta konsumatorë të kësaj zone.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me komunën e Mitrovicës së Jugut, për të marrë përgjigje, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.