
Probleme teknike: platforma E-Prokurimi jashtë funksionit
Platforma elektronike E-Prokurimi, më 04.03.2025, ka qenë jashtë funksionit për shkak të disa problemeve teknike – siç ka bërë të ditur Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).
“Të nderuar përdorues të AK-ve dhe OE-ve, aktualisht Sistemi i Prokurimit elektronik është jashtë shërbimit.” – thuhet në mesazhin që shfaqet në faqen e prokurimit, që është jashtë funksionit.
KRPP ka njoftuar se ka ndaluar hapjen e ofertave për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me datë të hapjes 04.03.2025 dhe do të obligojë Autoritetet Kontraktuese që të zgjasin afatet për dorëzimin e ofertave për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me datë të hapjes 04.03.2025.
Ky institucion bëri të ditur se do të merren edhe vendime të tjera për zgjatjen e afateve kohore, varësisht se sa do të zgjasë problemi teknik.
“Aplikimi i ndalimit të hapjes së ofertave dhe zgjatjes së afatit për dorëzimin e ofertave/aplikacioneve për aktivitetet e prokurimit, me datë të hapjes së ofertave në datat e tjera, përveç datës 04.03.2025, do të jetë në varësi të kohëzgjatjes së problemit teknik. Gjithashtu, në varësi të zgjatjes së problemit teknik do të merret vendim edhe për zgjatjen e afateve kohore që kanë të bëjnë me kërkesa për rishqyrtim – Ankesa apo çfarëdo veprimi të ndërlidhur me afate kohore të caktuara.” – thuhet në njoftimin e KRPP-së, më 04.03.2025.
KRPP tha se do të njoftojë përmes faqes zyrtare në Facebook lidhur me rregullimin e problemit teknik dhe veprimet që do të marrë.