Ilustrim

Probleme teknike në platformën E-Kosova, studentët përballen më vështirësi në aplikimin për 100 eurot

Studentët janë ballafaquar me probleme teknike në ueb-faqen e platformës “E-Kosova” kur kanë tentuar që të aplikojnë për 100 eurot që i ndan Qeveria e Kosovës për ta.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se sot është hapur aplikimi për studentë për mbështetje nga ‘Pako për Përballje me Inflacion’.

Disa studentë kanë raportuar në KALLXO.com se kanë hasur në probleme, pasi për minuta të tërë faqja ka qenë jashtë funksionit për tu qasur në opsionin e aplikimeve.

Disa të tjerë thonë se në vazhdimësi u shfaqej njoftimi “Ju lutem prisni, kërkesa juaj është në proces e sipër”, por tutje nuk iu është shfaqur ndonjë konfirmim apo anulim i aplikimit.

E-Kosova është platformë në të cilën qytetarët marrin shërbime të ndryshme online.

Kjo platformë është në menaxhim të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për problemet teknike në E-Kosova, KALLXO.com ka dërguar pyetje në MPB dhe është në pritje të përgjigjes.

 

Telashe teknike në E-Kosova, 20 tetor 2022

 

Të drejtë aplikimi për 100 euro, sipas vendimit qeveritar, kanë të gjithë studentët aktivë që studiojnë në programet e akredituara në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, aplikimi do të jetë i hapur deri më 6 nëntor, në platformën e-Kosova, ngjashëm sikurse herën e kaluar për studentët shtetas dhe jo-shtetas që studiojnë në Kosovë.

Pas mbylljes së aplikimit, listat do të verifikohen me institucionet arsimore të akredituara, dhe listat e konfirmuara do të procesohen për pagesë.

Kallxo.com ka adresuar problemin edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme që menaxhon me këtë faqe dhe është në pritje të ndonjë deklarimi lidhur me çështjen.

Hapet aplikimi për 100 eurot për studentë