Prizren

Prizreni pa dekorime në fundvit, paratë alokohen për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Komuna e Prizrenit ka anuluar tenderin për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Sipas një njoftimi të komunës, ky tender është anuluar për shkak të gabimeve të patolerueshme ligjore të operatorëve ekonomik.

Në njoftimin e komunës po ashtu thuhet që, mjetet e ndara për dekorim të qytetit do të destinohen në shpenzimet të cilat i kanë dalë të paplanifikuara Komunës së Prizrenit, për shkak të strehimit të qytetarëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Gjithashtu, qyteti i Prizrenit do të dekorohet nga bizneset që operojnë në bashkëpunim me komunën.

“Pas të gjitha përgatitjeve të cilat i ka bërë Komuna e Prizrenit për realizimin e projektit për dekorimin e qytetit, gjatë procedurave tenderuese operatorët ekonomikë kanë bërë gabime të patejkalueshme ligjore dhe rrjedhimisht Komuna është obliguar që ta bëjë anulimin e tenderit. Fatkeqësisht këtë vit nuk do të ketë dekorim të tenderuar nga Komuna e Prizrenit dhe mjetet të cilët janë paraparë nga ky kod buxhetor do të përdoren për shpenzimet të cilat i kanë dalë të paplanifikuara Komunës së Prizrenit, për shkak të strehimit të qytetarëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri. Komuna e Prizrenit do ta bëj dekorimin e qytetit në bashkëpunim me bizneset të cilat operojnë në Prizren”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna e Prizrenit ka ndarë buxhet në vlerë prej 30 mijë euro  për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Ndërsa në bashkëpunim me bizneset që operojnë në qytet Komuna ka njoftuar se do të bëjë dekorimin e qytetit, por pa dhënë sqarime për shumën apo cilat janë ato biznese me të cilat do të bashkëpunojë në këtë drejtim.

Lis Dorambari zëdhënësi i Komunës së Prizrenit për KALLXO.com ka thënë se që të tre kompanitë që kanë aplikuar në tenderin e hapur nga Komuna janë vlerësuar si të pa përgjegjshme dhe se nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.