Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prizreni nuk stoliset për festat e fundvitit, Komuna anulon tenderin 30 mijë eurosh

Komuna e Prizrenit ka anuluar tenderin për stolisjen e qytetit për festat e fundvitit.

Kjo Komunë kishte ndarë 30 mijë euro për këtë aktivitet të prokurimit, por sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, tenderi është anuluar për shkak se të gjithë operatorët ekonomikë që kanë aplikuar nuk i kanë përmbushur kriteret.

“Projekti për stolisje është dërguar në prokurim. Operatorët që tenderuan, komisioni për vlerësim i refuzoi me arsyetim se nuk i plotësuan kriteret e duhura”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ai më tej ka shtuar se do ta shqyrtojnë mundësinë që mjetet, të cilat i kishin paraparë për stolisje, të ndahen për të blerë dru për familjet në nevojë të komunës së Prizrenit.

“Në takim ndërsektorial i propozuam kryetarit që ato mjete të destinohen për furnizim me dru për ngrohje, familjeve në nevojë”, ka shtuar më tej ai.

KALLXO.com kishte raportuar se Komuna e Prizrenit kishte planifikuar të shpenzojë 30 mijë euro për të stolisur qytetin për festat e fundvitit.

Edhe gjatë vitit 2019, Komuna e Prizrenit kishte ndarë buxhet në vlerë prej 30 mijë euro për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, ndërsa e kishte anuluar tenderin pikërisht për të njëjtën arsye, pra nuk kishte gjetur operator të përgjegjshëm.

Vitin e kaluar, Prizreni ishte stolisur nga një operator privat.

Në kohë pandemie Komuna e Prizrenit ndan 30 mijë euro për stolisjen e qytetit për fundvit