Prizreni ndan 15 mijë euro për festimin e 28 Nëntorit

Disa nga komunat e Kosovës kanë filluar përgatitjet për festën e përvjetorit të shpalljes së  Pavarësisë së Shqipërisë.

Komuna e Prizrenit për këtë manifestim ka ndarë 15 mijë euro.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com, Zyrtari i Lartë për Kulturë,  Sazan Cukaj.

Sipas tij, në këtë çmim përfshihen  drekat, darkat, akomodimet për të ftuarit e konferencës shkencore dhe këngëtarët.

Për nder të kësaj date do të bëhen homazhe tek busti i Sylejman Vokshit, Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Remzi Ademajt.

Pastaj do  të mbahet  panairi i artizanateve dhe produkteve vendore në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, konferenca shkencore “Rugëtimi dhe ndikimi historik i qytetit të Prizrenit në ngritjen e flamurit në Vlorë”.

Më tutje do të realizohet  ora letrare “ Muzgjet e Prizrenit “ dhe një  koncert festiv me grupin Fanfara, Jericho dhe 04 Band në Kino Lumbardhi.