Prizreni, Mamusha e Dragashi nënshkruajnë memorandum për mbështetjen e strehimores së grave

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka njoftuar se së bashku me Komunën e Dragashit, Mamushës dhe Suharekës kemi nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit për mbështetjen e Qendrës për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren, në takimin e organizuar nga OSBE.

Haskuka ka treguar se deri më tash Komuna e Prizrenit ka mbështetur strehimoren, duke ia ofruar objektin si dhe duke dhënë subvencione nga Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Sipas Haskukës me këtë memorandum do të rritet mbështetja për strehimoren, e cila vepron për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, dhunës mbi bazën gjinore dhe formave të tjera të dhunës të këtyre katër komunave.

Haskuka në mes tjera ka falënderuar OSBE për punën si dhe për mbështetjen e grupeve të cenuara në Kosovë, ndërsa ka bërë thirrje që dhunën të mos e kemi në mesin tonë si mjet i zgjidhjes së problemeve.

“Me këtë rast dua të theksoj se dhuna në familje nuk duhet të ketë vendin në shoqërinë tonë dhe në asnjë shoqëri tjetër. Dhuna, çfarëdo forme që të jetë, fizike, psikologjike apo seksuale, është e papranueshme dhe asnjëherë nuk ka arsyetim”, ka shkruar ai.