Dyshimet për virusin në Prizren sot testohen 120 persona

Dalje masive e qytetarëve është raportuar në Prizren gjatë javës së fundit.

Shumë qytetarë janë parë në mbrëmje duke dalë në sheshin Shadërvan dhe në atë të Dëshmorëve.

KALLXO.com ka raportuar dhe për grumbullim të qytetarëve ne parqet e Prizrenit.

Gjithashtu, komuna e Prizrenit ka qenë ndër komunat, të cilat nuk i kanë respektuar më së shumti rekomandimet e IKShPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të Policisë për KALLXO.com vetëm gjatë muajit prill janë ndaluar 246 persona për mos respektim të dispozitave në kohë pandemie.

Të arrestuar ka pasur edhe në muajin mars, gjithsej 26 persona.

Gjatë kësaj jave, gjithashtu janë raportuar edhe shumë raste pozitive me COVID-19 në këtë komunë. Vetëm dje, janë raportuar 19 persona pozitiv, nga të cilët 12 janë zyrtarë policorë.

KALLXO.com raportoi sot se 70 zyrtarë policorë do të testohen sot për COVID-19 ndërsa 120 janë të gjitha testimet që janë bërë sot gjatë ditës në Prizren, të gjitha këto kontakte të personave të personave që kanë dalë pozitiv ditë më parë.

“Është bërë testimi më i madh në komunën e Prizrenit, 59 prej tyre i janë nënshtruar mostrimit në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike, ndërsa 61 të tjerë janë testuar nga ekipe mjekësore të IKSHKP-së të ardhura nga Prishtina, që në total në Prizren janë testuar 120 persona nga kontaktet e të infektuarve me COVID-19”, ka thënë Visar Shehu, drejtor komunal i shëndetësisë.

Në Prizren, janë prekur me COVID-19, 120 persona, janë shëruar 67 ndërsa 2 kanë vdekur.

Komuna e Prizrenit aktualisht ka numrin më të madh të rasteve aktive me coronavirus.