Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prizrenasit nga 1 marsi nuk paguajnë provizion për pagesat komunale

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se që nga data 1 mars qytetarët e komunës së Prizrenit nuk e kanë për obligim të paguajnë provizionin në vlerë prej 50 centë në PTK për të gjitha pagesat komunale që kapin shifrën deri në 9.99 euro.

Komuna ka njoftuar se gjatë ditës së sotme kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori Drejtorisë së Administratës, Osman Hajdari, kanë bërë prezantimin e këtij shërbimi të ri që do të jepet për herë të parë në Kosovë, në Qendrën e Shërbimeve të Integruara (One-Stop-Shop).

“Me këtë rast, kryetari Haskuka deklaroi se në bazë të kërkesave të shumta që kanë pranuar nga qytetarët, Komuna e Prizrenit ka vendosur që në Qendrën e Shërbimeve të Integruara (One-Stop-Shop), të funksionalizohet edhe shërbimi postar duke hapur brenda saj sportelin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) dhe duke e eliminuar provizionin të cilën tashmë përsipër do ta ketë Komuna”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Ndërsa, drejtori Hajdari ka thënë se prej funksionalizimit të QSHI-së, e cila është shembull jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, nga xhepi i qytetarëve të Prizrenit kanë arritur t’i kursejnë mbi 120 mijë euro duke i thjeshtëzuar mbi 110 procedura të ndryshme.