Foto: Ilustrim

Prizrenasi dyshohet se kanosë nënën dhe motrën: Një ditë kam me ju vra dhe do ta kalli shtëpinë

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin P.B., nën dyshimet për veprën penale kanosje.

Gjykata në Prizren ka njoftuar se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit P.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas Gjykatës në Prizren, i pandehuri P.B., para tri ditëve, në orët e pasdites, në shtëpinë e përbashkët familjare, ka kanosur nënën dhe motrën e tij, me fjalë dhe gjeste se do të ju shkaktoj diçka të keqe me qëllim të frikësimit.

I pandehuri sipas Gjykatës në Prizren, i tensionuar ka kanosur të dëmtuarat me fjalët “dilni nga shtëpia, kjo është shtëpia ime, një ditë kam me ju vra të gjithëve dhe do ta kalli shtëpinë”, duke shkaktuar ankthe dhe frikë tek nëna dhe motra e tij.

“Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se masa e paraburgimit për këtë fazë është e domosdoshme dhe janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet janë në fazën fillestare dhe duhet të merret në pyetje i pandehuri, të dëgjohen të dëmtuarat lidhur me sqarimin e mënyrës dhe rrethanave në të cilën është kryer vepra penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Prizren.

Gjithashtu Gjykata në lidhje me këtë rast ka marrë parasysh edhe të kaluarën kriminale të të pandehurit, gjë që vërtetohet edhe nga raporti i Policisë.