Gjykata Themelore e Prizrenit

Prizrenases i caktohet një muaj paraburgim për grabitje dhe posedim të drogës

Gjykata në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për të pandehurën S.Q., nën dyshimet për grabitje dhe posedim  të narkotikëve.

Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet nga ana e Prokurorisë së Shtetit, dhe se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji.

Në njoftimin e Gjykatës në Prizren thuhet se në vendimin për caktimin e masës së paraburgimit është marrë parasysh edhe sjellja e mëparshme e të pandehurës, e cila është evidentuar si kryese e shumëfishtë e grabitjeve.

“Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë penale, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurës në procedurën penale, parandalimin e dëmtimit të provave dhe përsëritjes edhe të veprave tjera penale të kësaj natyre”, thuhet në njoftim.