Foto: KALLXO.com

Prizren: Vidhen para në kutinë e bamirësisë, stoli ari e armë në dy raste të ndara

Kriza e krijuar nga pandemia e coronavirusit duket se nuk i ka ndalur vjedhjet që po raportohen në vazhdimësi.

Polica e Kosovës ka njoftuar se në rajonin e Prizrenit në 24 orët e fundit kanë ndodhur dy vjedhje të rënda.

Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Gjonaj, kur i dëmtuari ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e tij, dhe nga aty janë vjedhur stoli ari, dhe dy armë zjarri të cilat i kishte me leje.

I dëmtuari, shtëpia e të cilit është thyer me forcë, nuk gjendej në shtëpi pasi i njëjti kishte qenë me punë jashtë Kosovës.

Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur i dyshuari me përdorim force kishte depërtuar në objektin e Kryqit të Kuq, dhe kishte vjedhë një kuti qelqi në të cilën kishte pasur para për qëllime bamirësie, vlera të cilëve nuk dihet.

I dyshuari është arrestuar nga Policia, dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Një rast i tretë i vjedhjes ka ndodh në fshatin Duhël, ku dy persona janë arrestuar për vjedhjen e shtatë kapakëve metalike të pusetave në Autostradën Ibrahim Rugova.

Pas intervistimit me vendim të Prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.