Prizren, vdes një punëtor pasi ra nga kati i tretë i ndërtesës në ndërtim

Një punëtor ndërtimi ka vdekur si pasojë e plagëve të marra pas rrëzimit nga kati i tretë i një ndërtese në ndërtim në Prizren.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga Policia e Kosovës.

Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit, ka thënë për KALLXO.com se sot, më 13.09.2024, rreth orës 17:25, Policia ka marrë informatë se ne rrugën e Nashecit në Prizren një punëtor i një kompanie ndërtimi ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese në ndërtim e sipër derisa ka qenë në punë.

“Viktima është J.K., mashkull, mosha 48 vjeçar nga Prizreni, është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit ku si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë”- ka thënë Shaqir Bytyqi për KALLOX.com.

Sipas tij, për rastin është informuar prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitë përgjegjëse të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ekzaminuar vendin dhe duke mbledhur provat dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes.