Ilustrim

Prizren, të dyshuarit për fajde kapen në flagrancë - FOTO

Policia e Kosovës dje ka zhvilluar një aksion në Prizren, ku ka arrestuar dy persona dhe ka gjetur e konfiskuar një shumë të parave dhe armëve nën dyshimin për fajde, detyrim dhe kanosje.

Sipas policisë, dy të dyshuarit, I. M. dhe K. M. janë arrestuar në flagrancë, duke pranuar paratë-fajdenë prej 2,000 euro.

“Nga të dyshuarit në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar 2,000 euro para të gatshme, një veturë, një pistoletë me 17 fishekë, dy telefona celularë dhe disa dokumente/kontrata të huadhënies”, bëhet e ditur në komunikatë.

Pas kësaj, policia ka bastisur edhe shtëpitë e dy të dyshuarve në fshatin Krushë të Vogël në Prizren dhe atje ka gjetur edhe disa armë dhe pajisje të tjera.

“Gjatë bastisjes në shtëpitë e dy të dyshuarve në fshatin Krushë e Vogël në Prizren janë gjetur dhe konfiskuar: Një pushkë gjuetie me 26 fishekë, tri pistoleta me 120 fishekë, një laptop, bereta italiane me 2 karikatorë, bereta 9 mm me një karikator, zastava TT me dy karikatorë, pushkë automatike e llojit dhe kalibrit të panjohur, me 3 karikatorë, fletore me shënime dhe dokumente tjera relevante”, është thënë në komunikatë.

Sipas policisë, pas intervistimit, dy të dyshuarit, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për kryerjen e veprave penale ‘fajde’, ‘detyrim’, ‘kanosje’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’.