Asambleja Komunale, Prizren FOTO-KALLXO.com

Prizren, sot votohet për buxhetin 50 milionësh për vitin 2020

Në Prizren sot do të mbahet mbledhja e 7-të e rregullt e Asamblesë Komunale në Prizren.

Edhe pse mbledhja ishte e paraparë të fillonte në ora 10:00 në këtë kohë në sallë nuk ishte  prezent asnjë asamblesit e as drejtor.

Asambleja e zbrazët e Prizrenit

Edhe kur erdhën në seancë para se të uleshin në vendet e tyre, asambleistët uruan njëri tjetrin për fillimin e fushatës duke i uruar sukses asambleistëve që po garojnë për deputetë.

Në këtë mbledhje janë paraparë 12 Pika të Rendit të Ditës, ndërsa në rend dite me shumë me rëndësi është votimi për buxhetin e vitit 2020.

Ky rend dite pritet të diskutohet por pa Drejtor të Financave pasi që ish drejtori Ertan Simitçi kishte dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij.

Pika e pestë parasheh Shqyrtimin dhe miratimin e Buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2020, dhe parashikimin për vitet 2021 dhe 2022.

Në përgjithësi Rendi i Ditës përmban 12 Pika, ndër tjera edhe rishqyrtimi i rregullores për Transparencë në Komunë, si dhe shqyrtimi dhe miratimi i propozim – vendimit mbi hyrjen në koncesion të pronës komunale, pikë kjo që ka ngjallur debat ndërmjet pozitës dhe opozitës se cilit operator do ti jepet në koncesion kjo pronë komunale.

Shqyrtimi i raportit financiar të realizimit të buxhetit për periudhën janar – qershor 2019, parashihet të diskutohet gjithashtu.

Më poshtë mund të gjeni të gjitha pikat që pritet të diskutohen sot:

  1. Shqyrtimi dhe miratimi, i procesverbaleve të datës 18 qershor 2019, 28 qershor 2019 dhe 18 korrik 2019;
  2. Dhënia e betimit, nga ana e anëtarit të ri të Kuvendit të Komunës;
  3. Shqyrtimi dhe miratimi i Rendit të Ditës;
  4. Pyetjet e kuvendarëve dhe ngritja e çështjeve të ndryshme;
  5. Shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit të Komunës së Prizrenit, për vitin 2020 dhe parashikimi për vitet 2021, 2022;
  6. Rishqyrtimi i Rregullores 04/2019, për Transparencë në Komunë, sipas Rekomandimeve të MAPL-së;
  7. Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit mbi hyrjen në koncesion të pronës komunale;
  8. Informatë për Raportin e Komisionit për vlerësimin e ofertave dhe dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim KK Prizren;
  9. Shqyrtimi dhe miratimi i planit – programit trevjeçar për banim;
  10. Shqyrtimi i raportit financiar të realizimit të buxhetit për periudhën janar – qershor 2019;
  11. Shqyrtimi i raportit për llogaritë e arkëtueshme, verifikimi dhe inkasimi i tyre;
  12. Shqyrtimi i kërkesës për marrjen e vendimit për faljen e taksave komunale për ndërtimin e objektit për një rast social.