Prizren, renovimi në komunë krijon tollovi, pluhur e bërrllok (FOTO)

Drejtoria e Administratës në komunën e Prizrenit ka filluar realizimin e projektit “One Stop Shop“ i realizuar në bashkëpunim të Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë Administrimit të Pushtetit Lokal.

Renovimi i Komunës ka shkaktuar probleme në komunikacion, pasi që të enjten, si pasojë e punimeve, rrethojat e vendosura përreth objektit të Komunës nuk e përballuan peshën e rrënojave.

Si pasojë, në unazën kryesore të Prizrenit në rrugën “Remzi Ademaj” po shkaktohen kolona të veturave që vijnë nga stacioni i autobusëve dhe që hyjnë në brendi të qytetit.

Të premten gjatë ditës aty është vendosur një mjet transportues që ka bllokuar një korsi të rrugës, ndërsa rrënojat po largohen për të liruar hapësirën e bllokuar.

Ky projekt i Komunës ka për qëllim rregullimin e infrastrukturës për një qendër të vetme të shërbimeve për qytetarët.

Sipas Haskukës, projekti do të mundësojë thjeshtësimin dhe standardizimin e procedurave administrative, digjitalizimin e shërbimeve, krijimin e sistemeve të teknologjisë informative dhe zgjerimin e fushave për marrjen e informacionit të shpejtë dhe të saktë për qytetarë.

Planifikohet që punimet të përfundojnë deri në fund të këtij viti, pas të cilave në “Qendrën me një ndalesë” do të ketë rreth 56 sportele ku do të ofrohen shërbime të ndryshme dhe të gjitha në një vend.

Drejtoria e Administratës e komunës ka siguruar një ekip që është angazhuar lidhur me ndërrimin e lokacioneve, dhe kanë krijuar hapësira të veçanta për t’i ofruar shërbimet e zyrës së gjendjes civile.

Qytetarët e Prizrenit këto shërbime mund t’i gjejnë në këto lokacione: Shkolla “Remzi Ademaj”, Objekti i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave, Objekti i Qendrës për Punë sociale dhe Objekti pranë Filigranëve të qytetit.