Prizren: Qendrat e mjekësisë familjare do të fillojnë konsultimet me pacientë nëpërmjet telefonit

Drejtoria e Shëndetësisë në Prizren me qëllim të shmangies së grumbullimeve për nevoja mjekësore, që nga data 6 prill do të fillojë shërbimin online në kujdesin parësor shëndetësor në komunën e Prizrenit.

Kështu ka njoftuar drejtori i Shëndetësisë i Komunës, Visar Shehu, i cili ka thënë se mjekët në qendrat e mjekësisë familjare do të kenë komunikim me të gjithë pacientët eventualë përmes telefonatave dhe aplikacioneve tjera duke dhënë këshilla dhe informacione për gjendjen  shëndetësore të pacientëve në bazë të informatave të pacientëve.

Sipas drejtorit Shehu, qendrat e mjekësisë familjare do të vazhdojnë të ofrojnë shërbime normale si zakonisht, por ky është edhe një shërbim shtesë i cili ofrohet për shkak te pandemisë, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.

Pacientët ketë shërbim do e marrin duke telefonuar ne numrat kontaktues që do publikohen së shpejti për secilën QMF, në bazë të rajonit ku operojnë.

Deri më sot, në Prizren janë konfirmuar dy raste pozitive me COVID-19.

Një rast është konfirmuar më 16 mars nga fshati Korishë, i cili ka qenë rast i importuar nga jashtë, ndërsa rasti i dytë pozitiv është nga qyteti i Prizrenit dhe po ashtu rast i importuar nga jashtë.