Prizren, pronarit të shtëpisë së shembur i ishte refuzuar kërkesa për rrënim në vitin 2018

Sot gjatë ditës, në Prizren është shembur një shtëpi në afërsi të Shtëpisë së Kulturës në rrugën e “Saraçëve”.

Nga rrënimi i shtëpisë janë lënduar burrë e grua, ndërsa kryetari i Komunës Mytaher Haskuka kishte thënë se dy personat kishin pësuar lëndime të lehta nga shembja e shtëpisë së tyre.

Haskuka ka bërë të ditur se dy anëtarët e familjes Kasëmllari fatmirësisht kanë shpëtuar me lëndime të lehta nga shembja e shtëpisë së tyre, e cila është rrënuar vetvetiu nga vjetërsia.

Pronarit të shtëpisë në vitin 2018 i ishte refuzuar kërkesa për rrënim të shtëpisë dhe ndërtim të një objekti të ri, përderisa Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Komuna e Prizrenit “thumbojnë” njëra-tjetrën se përgjegjësi e cilit institucion ishin përgjegjësitë për këtë objekt.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka njoftuar se pronari i shtëpisë Ruzhdi Kasemllari gjatë vitit 2018 kishte parashtruar kërkesë për rrënimin e shtëpisë aktuale dhe nderim të shtëpisë individuale në Drejtorinë e Urbanizmit në Prizren që pastaj në përputhje me ligjin lënda është përcjellë në QRTK në Prizren.

Mirëpo QRTK kishte rekomanduar pronarin që duhej ta restaurojë ndertësën dhe jo ta rrënojë, ngase kjo ndërtesë gjendet brenda kufirit të Qendrës Historike të Prizrenit, dhe posedon vlera arkitekturore dhe ambientale.

Gjendja e kësaj shtëpia është rënduar për shkak të mos-mirëmbajtjes së rregullt kanë thënë nga Qendra për Trashëgimi Kulturore në Prizren, e sidomos gjendja e shtëpisë është rënduar pas rrënimit të pjesës tjetër të ndërtesës në afërsi të shtëpisë së shembur, ku tashmë gjendet një parking.

Andaj si pasojë e rrënimit të shtëpisë, një pjesë e madhe e murit e shtëpisë së shembur është ekspozuar ndaj të reshurave atmosferike si dhe dridhjeve të shkaktuara nga parkingu gjë që ka përkeqësuar stabilitetin e objektit dhe ka përshpejtuar kolapsin e pjesshëm të murit lindor që u shemb sot dhe lëndoi  burrë e grua pronarë të shtëpisë.

“Përse pronari nuk ka pranuar të bëjë restaurimin si dhe Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri e Komunës së Prizrenit nuk ka ndërmarrë masa preventive në eliminimin e rrezikut ose bind pronarin për to nuk kemi njohuri “ thuhet në komunikatën e Qendrës për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Mirëpo përderisa QRTK thotë se Drejtoria për Emergjenca dhe Siguri nuk ka ndërmarrë masa preventive, drejtori i kësaj drejtori në Komunë Faruk Dakaj ka reaguar ndaj akuzave të QRTKS-së.

Drejtori Faruk Dakaj ka thënë se objektet e trashëgimisë kulturore me rëndësi të veçantë në Prizren çdo ditë e më shumë po shkatërrohen si pasojë e neglizhencës dhe burokracisë  së zyrtarëve të QRTK-së, “ju gjeni kohën t’i fajësoni qytetarët apo komunën si institucion për fajin e tuaj”, thuhet në reagimin e drejtori Faruk Dakaj.

Ndërsa Fatmir Memaj drejtor i urbanizmit Komunën e Prizrenit, për KALLXO.com ka konfirmuar se Drejtoria që ai udhëheq nuk ka dhënë leje për punime në këtë shtëpi meqenëse kërkesa e pronarit në 2018 është dërguar në QRTK-së, dhe meqenëse ky institucion nuk ka dhënë pëlqimin për këtë arsye nuk e ka lëshuar lejen për punime të mëtutjeshme.

Ky nuk është rasti i parë në Prizren që rrënohen shtëpi të vjetra dhe institucionet akuzojnë njëra tjetrën për përgjegjësi.

Më 6 qershor të vitit 2016, vajza 3 vjeçare Xheneta Gashi po luante në rrugë dhe nga shembja e shtëpisë afër vendbanimit të saj ajo pësoi plagë të rënda në kokë dhe në trup, të cilat i morën jetën.

Për këtë rast Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish drejtori të Emergjencave në Komunën e Prizrenit, Bedrija Ejupagiq, por i cili ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Prizrenit rreth 3 vite pas ngjarjes tragjike.