Prizren - Përgatitet projekt për 'Muzeun e dhunës'  

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në rizren ka përgatitur projekt -propozimin për “Muzeun e dhunës”, i cili do të propozohet për zbatim në të ardhmen e afërt nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

 Sipas planifikimeve të QRTK në Prizren, ky muze do të vendoset në objektin aktual ku është vendosur edhe kjo qendër. 

Zyrtarëkësaj qendreje kanë thënë për Kallxo.com se QRTK  ka përmbyllur projektin “Hulumtimi dhe dokumentimi i ish-burgut në ndërtesën e QRTK-së Prizren” dhe se synimi i veçantë i këtij projekti ishte hulumtimi dhe grumbullimi i shumë materialeve, përfshirë dokumente arkivore, fotografi, intervista me ish të burgosurit politik dhe familjarët e tyre, duke dokumentuar dhe faktuar rrëfimet për ish-burgun e OZN-ës në Prizren, gjatë viteve 1945-65. 

Ekipi i QRTK fillimisht është angazhuar në grumbullimin e materialeve të ndryshme arkivore të siguruar nga institucione shkencore e arkivore e shoqata të ish të burgosurve politikë në vend dhe nga informata të siguruara nga botimet e ndryshme shkencore.  

Bazuar në të gjitha dëshmitë e dokumentuara, QRTK në Prizren së shpejti do të finalizojë edhe dokumentarin televiziv,i cili do të paraqet përjetimet dhe dëshmitë rrëqethëse e të dënuarve politikë shqiptarë në ish-Jugosllavi, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyret e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore. 

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka pohuar për Kallxo.com se “Muzeu i dhunës” planifikohet të vendoset në ndërtesën e QRTK në Prizren. 

Sipas tij, referuar dokumenteve të shumta arkivore të cilat janë grumbulluar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore është përgatitur propozimi i projektit “Muzeu i dhunës”, i cili do të propozohet për zbatim në të ardhmen e afërt nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

“Me funksionalizimin dhe shndërrimin e ndërtesës në hapësirë muzeore, do të shpalosen dhe vizualizohen pamjet e shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte shtypjen e popullit tonë me dekada të tëra, ka theksuar drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha.