Prizren, për një muaj janë ngritur 25 aktakuza për dhunë në familje
Prokuroria e Prizrenit gjatë muajit korrik ka ngritur 25 aktakuza për veprën penale – dhunë në familje.
Sipas një komunikate, Prokuroria e Prizrenit gjatë muajit korrik 2024 ka pranuar 41 kallëzime penale kundër 49 personave.
Këto kallëzime penale të pranuara kanë qenë lidhur me veprat penale që lidhen me dhunë në familje.
Aktakuzat e ngritura janë të drejtuara ndaj 30 personave që pretendohet se kanë kryer veprën penale – dhunë në familje.
Tutje bëhet e ditur se prej këtyre rasteve, 17 aktakuza me 20 persona janë aktakuza ku të dëmtuara janë gratë.
Prokuroria e Prizrenit thekson se do të vazhdojë t’i trajtojë me seriozitet të theksuar të gjitha rastet e dhunës në familje, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar dhe luftuar veprat penale të kësaj natyre.