Prizren, paraburgim të dyshuarit për aksidentin që la një grua të vdekur

Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit S.G., nën dyshimin se me automjet nga pakujdesia ka goditur këmbësoren N.N., e cila më pas ka vdekur.

S.G., sipas Prokurorisë, po dyshohet se ka kryer veprën  penale rrezikimi i trafikut publik që ka rezultuar me vdekjen e një personi.

Sipas dosjes, më 19 shtator, në orët e mbrëmjes, në rrugën Vërmicë- Prizren, i pandehuri derisa drejtonte automjetin kur arrin në vendin kritik shpejtësinë e lëvizjes së automjetit nuk ia ka përshtatur kushteve dhe rrethanave në rrugë dhe me pjesën e përparme të anës së djathtë të veturës e godet këmbësoren N.N. të moshës 55-vjeçare.

Si pasojë e goditjes e dëmtuara N.N. merr lëndime të rënda trupore dhe më pas ekipi i mjekëve konstaton vdekjen e saj.

Masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit S.G. do të llogaritet nga data e arrestimit 19 shtator 2021 dhe mund të zgjasë deri më 19 tetor 2021.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprës penale, faktin se kemi të bëjmë me pasoja me fatalitet, ku viktima nga lëndimet e pësuara në aksident ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, porse ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.